
Një ndërprerje e gjerë e shërbimeve të Cloudflare shkaktoi këtë të martë, më 18 nëntor, probleme të mëdha në funksionimin e internetit në mbarë botën, duke bërë që një numër i madh faqesh dhe platformash online të mos jenë të aksesueshme për rreth tre orë.
Incidenti, i cili filloi rreth orës 12:48, preku miliona përdorues dhe biznese në shkallë globale. Ndërsa ndërprerja preku edhe Shqipërinë.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) reagoi me një deklaratë zyrtare, duke konfirmuar se disa institucione dhe sektorë në vend patën vështirësi në aksesimin e faqeve dhe shërbimeve digjitale gjatë incidentit.
“Ndikimi u reflektua edhe në vendin tonë, ku disa institucione dhe sektorë patën vështirësi në aksesimin e faqeve dhe shërbimeve digjitale. Rreth orës 15:42 Cloudflare ka raportuar se kjo problematikë është e përkohshme dhe se kompania është duke punuar për kthimin e të gjitha shërbimeve në normalitet. Për sa më sipër, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) rekomandon rritje të vigjilencës për përdoruesit që kanë shërbime në këtë platformë, si dhe kryerje të kontrollit të vazhdueshëm për disponueshmërinë e tyre.
Gjithashtu, rekomandohet identifikimi i shërbimeve të prekura për ndonjë problematikë pas ndërprerjes. Për më tepër, sigurimi i mekanizmave që lejojnë të paktën funksionimin bazë dhe në rast se shërbimet e ofruara nga Cloudflare nuk janë aktive, do të ulte rrezikun e prekjes nga kjo ndërprerje. AKSK mbetet i angazhuar për të garantuar sigurinë e infrastrukturave të informacionit në vend dhe për të informuar publikun në kohë reale mbi çdo rrezik të mundshëm.”, thuhet në reagimin zyrtar të AKSK-së.
Ndër platformat më të prekura këtë të martë ishin rrjetet e njohura sociale dhe shërbimet kritike të inteligjencës artificiale. Faqet e mëdha si X dhe ChatGPT pësuan ndërprerje të menjëhershme, ndërsa madje edhe mjeti i njohur për verifikimin e funksionimit të faqeve, doëndetector.com, u bë i paarritshëm.
Sipas raportimit zyrtar të Cloudflare, problemi u shkaktua nga një defekt i brendshëm në disa prej komponentëve kritikë të platformës, përfshirë rrjetin global të Edge dhe API-të e saj. Si pasojë, shumë prej shërbimeve që mbështeten te infrastruktura e Cloudflare u bllokuan ose funksionuan me vonesa të konsiderueshme. Rreth orës 15:42, kompania njoftoi se po punonte për rikthimin gradual të të gjitha shërbimeve në normalitet. Ndërkohë, pritet që Cloudflare të publikojë më shumë detaje teknike mbi shkakun e defektit dhe masat parandaluese që do të ndërmerren për të shmangur përsëritjen e incidenteve të tilla, të cilat tregojnë qartë sa e brishtë mund të jetë infrastruktura globale e internetit kur një prej ofruesve kryesorë të tij bie nga funksioni.
/tvklan.al







