Partia Demokratike ka publikuar një njoftim zyrtar për shtyp, ku ish-kryeministri Sali Berisha akuzon ashpër qeverinë për menaxhimin e situatës së përmbytjeve që kanë goditur disa qarqe të vendit.

Sipas Berishës, qindra familje në Lezhë, Kurbin, Mat, Dukagjin dhe Shkodër janë lënë “në mëshirën e fatit”, duke përjetuar “tmerre nga vërshimet e papërmbajtura të lumenjve dhe ujërave”.

Ai thekson se pavarësisht paralajmërimeve të hershme nga stacionet meteorologjike, qeveria nuk ka marrë asnjë masë parandaluese.

“Narkoqeveria është në narkozë. Asnjë ndihmë, asnjë mbështetje. Qytetarët janë lënë vetëm, në mëshirën e natyrës dhe të Zotit vetë”, thuhet në deklaratë.

Berisha kritikon ashpër dhe strukturat shtetërore përgjegjëse për emergjencat:

“Ajo që quhet Mbrojtje Civile është inekzistente. Qytetarët janë të braktisur.”

Ai shton se deputetët e Partisë Demokratike ndodhen në terren, duke ndjekur situatën me shqetësim, por se “përveç solidaritetit nuk kanë mjete të tjera” për të ndërhyrë.

Deklarata mbyllet me një akuzë politike:

“Qeveria, e ngërthyer nga superskandalet, nuk ka asnjë preokupim tjetër veçse si të fshehë gjurmët e krimeve dhe vjedhjeve që ka kryer.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu