
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 25 vite burg për Marjo Përlleshajn, të miturin që vrau 15-vjeçarin Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli” një vit më parë. Seanca e sotme paraprin përvjetorin e ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik.
Nesër, më 18 nëntor, mbushen plot 12 muaj nga vrasja e Martin Canit, ndërsa organi i akuzës shpalli pretencën duke kërkuar dënimin maksimal, por me zbatim të Kodit të të Miturve, duke qenë se i pandehuri ishte nën moshë në momentin e krimit.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Ngjarja tragjike e 18 nëntorit 2024 nisi pas një konflikti mes dy të miturve, që sipas hetimeve kishte shpërthyer tre ditë më parë dhe ishte përshkallëzuar sërish ditën e vrasjes.
Dëshmitë dhe pamjet filmike tregojnë se përplasja mes nxënësve u shndërrua në sherr fizik ku morën pjesë edhe fëmijë të tjerë. Në momentin kritik, një kamerë sigurie ka regjistruar Marjo Përlleshajn duke u larguar nga vendngjarja me thikë në dorë, pak sekonda pasi goditi për vdekje bashkëmoshatarin e tij.
Ngjarja shkaktoi reagime të forta në publik dhe institucione, duke rikthyer debatin mbi konfliktet mes të miturve dhe dhunën në shkolla.




