Në Itali e njohin si “avokatja e kafshëve”. Giada Bernardi, juriste e Forumit të Romës dhe themeluese e studio-s ligjore GiustiziAnimale, ka ngritur një kauzë të pazakontë: mbrojtjen ligjore të kafshëve, “cilado qoftë specie”, siç e thekson ajo—qen, mace, kuaj, dele, lopë, madje edhe pitonë e peshq të kuq. “I mbroj si të ishin persona, sepse për mua janë jetë, jo sende”, thotë ajo.

Por misioni i saj nuk është i lehtë. Në Itali, ashtu si në shumë vende europiane, kafshët konsiderohen njëkohësisht qenie të gjalla në Kodin Penal, por objekte në Kodin Civil. Një kontradiktë që krijon boshllëqe të mëdha ligjore dhe, sipas Bernardit, shpesh i lë pa mbrojtje reale.

“Ligji penal i mbron si qenie, ligji civil si sende”

Bernardi shpjegon se ligji Brambilla i njohu kafshët si qenie ndjesore, duke rritur ndëshkimet për vrasje, keqtrajtim, braktisje apo luftëra ilegale. Por përpara drejtësisë civile, ato mbeten “send”, ndaj mbrohet ndjenja e pronarit që sheh dhunën—jo dhimbja që përjeton kafsha.

Kjo është absurditeti më i madh. Ai që vuan, nuk dëgjohet” – thotë Bernardi.

Drama e malasanità: kur gabimet e veterinerëve kalojnë pa ndëshkim

Një tjetër plagë e madhe që avokatja ndesh çdo ditë është malasanità veterinaria—gabimet ose pakujdesitë e veterinerëve, të cilat shpesh çojnë në sëmundje të rënda ose vdekjen e kafshëve.

Ndryshe nga mjekët e njerëzve, veterinerët rrallë përballen me ndjekje penale. Zakonisht çështjet mbyllen me një dëmshpërblim, ndërsa askush nuk heton thellësisht, nuk sekuestrohen dosje mjekësore dhe profesionisti shpesh vazhdon punën pa sanksione të tjera.

E jetoj këtë dramë çdo ditë, dhe është më e shpeshtë sesa mendohet”, thotë Bernardi.

Rasti që tronditi Bernardin: “E vrau në tavolinë operatore”

Mes shumë rasteve, një e ka shoqëruar gjatë: drama e Greta-s, një qeni të racës bassoto, vetëm 4 vjeç.

Greta u dërgua për një operacion sterilizimi “rutinë”, sipas veterinerit. Por nuk doli më gjallë nga salla e operacionit. Ajo vdiq nga arresti kardiak, pasi veterineri e anestezoi dhe operoi pa kryer analizat më bazike: as gjak, as ekografi, as kontroll të zemrës.

Kur pronarja Marina e pyeti çfarë ndodhi, veterineri iu përgjigj me një fjali që e përndjek ende:

“I vrava qenin. Nëntë nga dhjetë del mirë.”

Marina, sot në terapi, po përballet me një dhimbje të jashtëzakonshme. Bernardi e përfaqëson në gjykatë, ndërsa ka vendosur që çdo dëmshpërblim ta dhurojë për strehët e kafshëve.

Veterineri? Do të paguajë një shumë të caktuar dhe do të vazhdojë punën. “Shpresoj më i kujdesshëm, por asgjë nuk e kthen Greta-n”, thotë avokatja.

“Çdo ditë më dhemb zemra… por nuk dorëzohem”

Giada Bernardi pranon se misioni i saj është i lodhshëm emocionalisht, por beson se ndryshimi kulturor ka nisur: gjithnjë e më shumë njerëz i trajtojnë kafshët si anëtarë të familjes, ndërsa ligjet po ecin më ngadalë se shoqëria.

Unë do të vazhdoj t’i mbroj si persona. Sepse ata vuajnë si persona. Dhe kanë nevojë për dikë që të flasë për ta.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu