
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas atentatit të rëndë mafioz në Rinas, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dhe Muçi Shaljani (i njohur si Sheqeri), efektiv i AMP-së, i cili humbi jetën një ditë pas ngjarjes në spitalin e Traumës.
Ngjarja, që ndodhi më 11 nëntor, tronditi vendin për brutalitetin dhe ekzekutimin me breshëri plumbash ndaj një automjeti në lëvizje. Katër ditë pas atentatit, Rama u shpreh se identifikimi i autorëve do të ishte bërë në kohë reale, nëse do të ishte funksional sistemi kombëtar i monitorimit me kamera inteligjente.
“Nëse do të kishim këtë sistem në këmbë, ngjarja e Rinasit do të ishte zbardhur në kohë reale, por nuk është problemi tek zbardhja,” tha shkurt Kryeministri, duke lënë të kuptohet se problemi kryesor është mungesa e infrastrukturës së duhur për të parandaluar ngjarje të tilla.
Rama shtoi se projekti i ri i monitorimit elektronik të qyteteve dhe rrugëve kombëtare është projekt strategjik që do të nisë së zbatuari pas një “zvarritjeje burokratike” të tejzgjatur.
“Projekti i monitorimit me kamera inteligjente është një instrument i domosdoshëm për sigurinë, pastërtinë dhe sigurinë e prindërve në shkolla. Pasi të vendoset, sistemi jo vetëm që do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjeve, por do të parandalojë në mënyrë efikase shkeljet e rendit dhe rregullat e qarkullimit,” tha ai.
Rama garantoi se brenda këtij mandati sistemi i kamerave inteligjente do të jetë i implementuar dhe do të ndryshojë mënyrën se si garantohen rendi dhe siguria publike në vend.







