Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kryebashkiaken e Roskovecit, Majlinda Bufi, e akuzuar për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, parashikuar nga neni 328/a/3 i Kodit Penal.

Sipas SPAK, e pandehura në cilësinë e Kryetares së Bashkisë Roskovec, dyshohet se ka ushtruar presion ndaj një qytetari, G.B, për të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe për të mos u përfshirë në aktivitete të subjekteve të tjera politike.

Si u zbuluan dyshimet – audio-përgjimi i publikuar në media

Më 6 maj 2023, në orën 14:04, në media u publikua artikulli me titullin “Mos guxo të votosh – Publikohet audio përgjimi tjetër skandaloz i kryebashkiakes së Roskovecit”. Transkripti i regjistrimit – që SPAK e ka analizuar gjatë hetimit – tregon një bisedë ku Bufi shfaqet e irrituar me qytetarin G.B, përfitues i programit social të Bashkisë, “Përmirësimi i kushteve të banimit për familjet e varfra dhe të pafavorizuara”.

Hetimet ndërkohë konstatuan se objekti për të cilin G.B kishte kërkuar mbështetje nuk ishte banesë ekzistuese, por një ndërtim i sapofilluar dhe me probleme dokumentacioni, megjithatë Bufi rezulton se kishte dijeni për përfshirjen e tij në këtë program.

SPAK: Presion politik në prag të zgjedhjeve

Sipas të dhënave të hetimit, para takimit të regjistruar, punonjës të IMT-së së Bashkisë Roskovec kishin shkuar në banesën e G.B duke i kërkuar llogari për punimet dhe duke i kërkuar t’i ndërpriste ato.

Më pas, është zhvilluar takimi në ambientet e Bashkisë, ku sipas SPAK, biseda ka qenë në formë presioni. Majlinda Bufi i ka përmendur qytetarit mundësinë e masave administrative dhe e ka paralajmëruar se ai kishte kryer ndërtim pa leje.

Gjithashtu, në takim i është përmendur komunikimi me mesazhe, ku G.B i kishte uruar “fitore” kandidatit të opozitës.

SPAK thotë se Bufi i ka kërkuar qytetarit:

“Që nga ky moment e derisa të mbarojnë zgjedhjet të mos hapë gojë, të mos flasë as ai dhe as familja e tij, të rrijë në shtëpi dhe të mos shkojë fare të votojë në zgjedhjet e datës 14 maj 2023.”

Sipas SPAK, ky presion është bërë kundër vullnetit të shtetasit G.B dhe nën kërcënimin e masave administrative. Pavarësisht kësaj, ai ka ushtruar të drejtën e votës në 14 maj.

SPAK: Të gjithë prezumohen të pafajshëm

Në njoftimin zyrtar, SPAK thekson se:

“Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu