Teksa kryedemokrati Sali Berisha pretendon se nuk është thirrur sipas ligjit për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme AntiKorrupsionin për çështjen e “21 janarit”, SPAK ka dalë sot, 14 nëntor, me një reagim zyrtar.

Sipas SPAK, deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje, të cilët janë adresuar te selia e PD-së, Kuvendi dhe banesa e kryedemokratit, por zarfet janë kthyer mbrapsht.

Madje sipas Prokurorisë së Posaçme, urdhri për t’u paraqitur i është çuar Berishës edhe në adresën e tij të email-it.

Reagim zyrtar i SPAK

Deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje përmes shërbimit të postës shqiptare, më datë 3.11.2025 në adresën e banesës (për t’u paraqitur në SPAK në datë 7.11.2025) dhe në datën 7.11.2025, në adresën e banesës, Partisë Demokratike dhe Kuvendit (për t’u paraqitur në datën 14.11.2025).

Urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin: Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.

Pas këtij konstatimi, Prokuroria e Posaçme ka vijuar me dërgimin e urdhër-thirrjes në tre destinacionet (Banesë, Partia Demokratike dhe Kuvend) më datë 07.11.2025.

Më datë 09.11.2025, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa më 12.11.2025 Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Përmes shkresës është sqaruar gjithashtu se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit: sali.berisha@parlament.al, më datë 10.11.2025.

Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

/tvklan.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu