
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Kuvend se buxheti i vitit 2026 është më i madhi në historinë e Shqipërisë dhe shënon një moment historik për rritjen e pensioneve dhe pagave.
Ai theksoi se qeveria ka mbajtur fjalën ndaj pensionistëve dhe se kjo rritje do të ndodhë çdo muaj duke filluar nga janari 2026.
Sipas Ballës, pensioni urban me vite të plota pune do të arrijë në 400 mijë lekë, ai i pjesshëm në 220 mijë lekë, pensioni rural në 180 mijë lekë, pensioni familjar në 180 mijë lekë dhe ai i invaliditetit në 300 mijë lekë.
Në total, çdo pensionist do të përfitojë 2.16 milionë lekë më shumë deri në fund të mandatit, përveç bonusit të fundvitit dhe indeksimit vjetor.
Një tjetër pikë kyçe e buxhetit është rritja e pagës minimale, e cila nga 1 janari 2026 do të shkojë në 500 euro. Balla njoftoi gjithashtu rritje për pagat në sektorin publik, përfshirë Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës.
Ai bëri apel ndaj deputetëve që të miratojnë buxhetin dhe kalendarin e posaçëm të diskutimeve parlamentare, duke theksuar: “Votoni edhe për prindërit tuaj pensionistë. Votoni për të gjithë ata pjesëtarë të administratës publike që mezi presin rritjen e pagave.”
Fjala e plotë
Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, dua sot të përgëzoj Qeverinë për sjelljen në Kuvend jo vetëm të buxhetit më të madh në historinë e Shqipërisë, por mbi të gjitha për faktin se kjo shumicë, Kryeministri dhe Qeveria, e mbajtën fjalën që u dhanë pensionistëve dhe që populli shqiptar na besoi në shumicë si asnjëherë tjetër në 11 maj për të rritur me këtë buxhet që miratojmë në fund të këtij procesi që nis sot, të pensioneve në këtë vend.
E dimë të gjithë se pensionet janë pjesa më e vështirë e politikës financiare të një vendi, por besoj që bashkë ndajmë vlerësimin se Shqipëria nuk është më ai vend që mezi rri në këmbë e që nuk ka më mundësi të rrisë pensionet. Ne sot jemi shumë krenarë para popullit shqiptar të themi se fjalën që dhamë e mbajtëm, zotimin që u dhamë pensionistëve e mbajtëm, dhe sot jemi në ditën kur zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë fillojmë të komunikojmë shifrat historike të këtij buxheti.
Pensionistët jo vetëm që do të marrin në muajin dhjetor bonusin e fundvitit, që tashmë e kemi kthyer në traditë, por do të kenë edhe një rritje të shtrirë përgjatë 12 muajve të vitit 2026. Konkretisht, sipas kategorive, në fund të këtij mandati historik që shqiptarët na kanë besuar të arrijmë, që pensioni mesatar do të shkojë si më poshtë: pensioni urban me vitet e plota të punës do të shkojë në 400.000 lekë, pensioni urban i pjesshëm do të arrijë mesatarisht në të paktën 220.000 lekë, pensioni rural – ai që në vitin 2013 as nuk ekzistonte – synoojmë ta çojmë në 180.000 lekë. Pensioni familjar të shkojë në 180.000 lekë dhe pensioni i invaliditetit në 300.000 lekë.
Prandaj, nga janari i vitit 2026, pensionet do të rriten çdo muaj. Këtu nuk përfshihet as bonusi dhe as indeksimi vjetor – ato janë diçka tjetër që do të vazhdojnë. Sot flasim vetëm për rritjen që është planifikuar në buxhet. Pensioni urban për ata që kanë vite të plota pune do të rritet për çdo muaj me 1800 lekë. Dhe nëse do të bënim një llogari për të gjithë ata që ndoshta matematikën e kanë lëndë të vështirë në kurikulën e tyre arsimore, nëse do t’i referoheshim vetëm pensionit urban për vite të plota pune, për vitin 2026 çdo pensionist do të marrë 216.000 lekë më shumë vetëm nga rritja, pa indeksim dhe pa bonus.
Për vitin 2027 do të marrë 432.000 lekë shtesë, për vitin 2028 do të marrë 648.000 lekë dhe për vitin 2029 do të marrë 864.000 lekë më shumë. Të gjitha këto të thëna, falë kësaj qeverie, ky pensionist në fund të këtij procesi do të ketë marrë 2.160.000 lekë më shumë se deri tani.
Kjo është për pikën e parë. Për pjesën tjetër, besoj që bashkëndajmë edhe lajmin tjetër të mirë: nga 1 janari 2026, buxheti parashikon rritjen e pagës minimale. Për 307.850 punonjës në këtë vend, paga minimale do të shkojë në 500 euro. Dhe nga ajo që do lexoni në buxhetin e shtetit, jo vetëm pensionistët do të marrin 100 milionë euro më shumë në vitin 2027 – siç ju thashë, do ta dyfishojmë në 200 milionë e me radhë – por totali i rritjes buxhetore për mbështetjen e pensionistëve shkon në 1.7 miliardë euro.
Sa i përket pagave, jo vetëm paga minimale, por edhe një sërë pagash të tjera në sektorin shtetëror do të rriten. Jam shumë krenar si kryetar i grupit, por edhe si ish-ministër i Brendshëm, të jap lajmin e mirë për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës: ajo që nuk e arritëm dot një vit më parë për shkak të rrethanave, ndodh në buxhetin e shtetit të vitit 2026.
Në përfundim të kësaj hyrjeje, që ka të bëjë me debatet e zhvilluara në Konferencën e Kryetarëve, informoj Kuvendin se Ministri i Financave të Republikës së Shqipërisë bëri prezantimin, siç përcakton rregullorja dhe ligji për menaxhimin e buxhetit. Kalendari synon që buxheti të diskutohet në parim në seancën e datës 19 nëntor, dhe në seancën e datës 11 dhjetor duhet të votohet nen për nen dhe në tërësi.
Prandaj, i takon komisioneve parlamentare që javën e ardhshme të fokusohen tek aktiviteti i tyre në komisione me ministrat përkatës, sa i përket miratimit në parim të buxhetit, për t’u rikthyer menjëherë pas datës 19 dhjetor për ta diskutuar dhe miratuar në komision nen për nen dhe në tërësi, për t’i hapur rrugë miratimit të këtij buxheti brenda afatit të përcaktuar nga ligji për menaxhimin e buxhetit – që është 15 dhjetori.
Koha në dispozicion është mëse e mjaftueshme për diskutimin e këtij buxheti. Prandaj, zoti kryetar, i ftoj kolegët që të miratojmë kalendarin e posaçëm të këtij buxheti, duke votuar për kalendarin dhe për këtë buxhet.
Votoni edhe për prindërit tuaj pensionistë.
Votoni për të gjithë ata pjesëtarë të administratës publike që mezi presin rritjen e pagave.
Faleminderit.







