
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë të shtunën hotelin “Castel” në Milloshevë, në pronësi të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit për kryetar të Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 12:00, ndërsa sipas Policisë së Kosovës nuk raportohet për persona të lënduar. Në pamjet e siguruara nga mediat në Kosovë shihen dëme të mëdha materiale brenda hotelit, ndërsa flakët kanë shkrumbuar një numër të konsiderueshëm dhomash.
Thaçi ka konfirmuar se objekti është i tij dhe se dëmet janë të mëdha. Ai është shprehur se në hotel nuk kishte as ngarkesë elektrike dhe as ndonjë vizitor në momentin e ngjarjes, duke shtuar se nuk di ende se si ka shpërthyer zjarri.
“Po, hoteli im është djegur. Ka dëme të mëdha. Policia po heton se nga ka ardhur zjarri”, është shprehur Thaçi.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet kanë nisur për sqarimin e rrethanave të zjarrit dhe identifikimin e shkakut që çoi në djegien e hotelit.
Halil Thaçi është në garë për balotazh më 9 nëntor kundër kryetarit aktual të Obiliqit, Xhafer Gashit të LDK-së. Në raundin e parë, Gashi kryesoi me 46.20% të votave, ndërsa Thaçi mori 44.37%.







