Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, duke iu referuar dosjes së gjykatës në Uashington ku, sipas tij, emri i kryeministrit Edi Rama lakohet 13 herë në 13 pika të ndryshme.

“Duartrokitjet tuaja janë një histeri kolektive, asgjë më shumë. Por unë do t’u them shqiptarëve se ne kërkojmë këtë komision sepse në dosjen e gjykatës në Uashington, emri i Edi Ramës citohet, lakohet 13 herë në 13 pika,” – deklaroi Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin për përfshirje në korrupsion ndërkombëtar, duke përmendur rastin McGonigal dhe lidhje të dyshuara me figura të njohura si Tom Doshi, Durim Bami dhe Agron Neza.

“Gjykatësi i Uashingtonit thotë: njeriu i ngarkuar për të mbrojtur kombin nga korrupsioni, u korruptua vetë nga fuqia e huaj. Thuhet se u mor me hetime mafioze, se ndërhyri për licencën e naftës, se ish-këshilltari i Ramës mori 225 mijë dollarë nga zyra e tij,” – vijoi Berisha.

Ai shtoi se kompania që humbi licencën arriti të gjobisë Shqipërinë me 40 milionë euro, ndërsa kompania përfituese kishte lidhje me oligarkun rus Oleg Deripaska.

Në vijim të deklaratës, Berisha u ndal edhe te çështja e inceneratorit të Tiranës, duke e cilësuar si një tjetër dosje që do ta ndjekë kryeministrin deri në fund të karrierës politike.

“Djegësi i Tiranës është një tjetër dosje që nuk e lë Ramën të qetë. Prokurori që e kërcënoi tha se nuk mund të akuzonte Veliajn pa akuzuar Ramën. Tani po dalin si libër edhe dëshmitë e Nesti Angonit. Prisni Nesti Angonin e dytë, është lule krahasuar me të parin,” – tha Berisha.

Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të vijojë me kërkesën për komision hetimor, duke e cilësuar si domosdoshmëri për transparencën dhe llogaridhënien institucionale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu