Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi sot me 79 vota kundër dhe 10 pro mocionin e opozitës për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, nga detyra. Belind Këlliçi deklaroi se deputët demokratë nuk e kuptuan se çfarë u hodh në votim ndaj nuk votuan të gjithë.

Në fjalën e tij para votimit, Peleshi iu përgjigj akuzave të opozitës, duke theksuar se në asnjë rast gjatë karrierës politike nuk ka fyer, denigruar apo sulmuar askënd dhe se ka synuar gjithmonë të mbajë një kulturë politike bashkëpunuese dhe institucionale.

“Në këtë mocion për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit na ka sjellë rezistenca për të mos lejuar askënd që të kthejë këtë sallë nga arenë mendimesh në arenë dhune verbale. Duhet të ndahemi nga kultura e urrejtjes që po helmon shoqërinë. Çdo fjalë e shqiptuar këtu vijon përtej këtyre mureve,” – tha Peleshi.

Ai shtoi se do të vijojë të punojë për ta afruar punën e Kuvendit me standardet e parlamenteve europiane, duke promovuar debatin politik dhe respektin institucional.

“Në jetën time politike nuk kam denigruar, sulmuar apo fyer askënd. Nuk kam shkelur mbi personalitetin e askujt dhe nuk kam përfshirë asnjëherë familjarë në debatin politik,” – u shpreh kryeparlamentari.

Mocioni për shkarkimin e Peleshit u inicua nga 36 deputetë të Partisë Demokratike, të cilët e akuzuan për shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit gjatë seancave të shtatorit.

Pas votimit të sotëm, Peleshi mbetet në detyrë, ndërsa opozita ka paralajmëruar vazhdim të betejës politike për, siç thotë, “rikthimin e autoritetit dhe dinjitetit të Kuvendit”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu