
Policia e Tiranës njofton sot më 29 tetor, se në vijim të veprimeve hetimore, është arrestuar në flagrancë autori i vrasjes së djeshme në ambientet e një lokali në Komunën e Parisit.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi F. Sh., 41 vjeç, dyshohet se vrau me mjet prerës (thikë) shtetasin I. I., 36 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në vendin ku punonin të dy.
Në operacionin e kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2 dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, u gjet dhe u sekuestrua mjeti prerës, me të cilin dyshohet se është kryer krimi.
Nga verifikimet u konfirmua se autori ishte i dënuar më parë për “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje të armëve të ftohta”.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia thekson se arrestimi u bë menjëherë pas ngjarjes.
/tvklan




