Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, pas lajmit se ajo është thirrur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për t’u paraqitur ditën e hënë me avokatin e saj.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj e ka cilësuar “të paimagjinueshëm” reagimin e Ballukut, e cila ndodhet në Zvicër, ku ka shpërndarë pamje nga udhëtimi me tren.

> “Është e pabesueshme. Të hënën Balluku është thirrur nga SPAK-u dhe është thirrur bashkë me avokatin e saj. Balluku çfarë bën? I hipën avionit, shkon në Zvicër dhe fillon e bën xhiro me tren e na jep mend. Na thotë sa të bukur janë trenat në Zvicër dhe sa bukur do ishte që këto trena të ishin edhe në Shqipëri. Është e paimagjinueshme!”, – deklaron Shehaj.

 

Duke përmendur edhe hetimet ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj dhe ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kreu i Partisë Mundësia thekson se “nuk do të jetë e largët dita kur edhe Edi Rama do të dalë para drejtësisë”.

> “Na dukej e pabesueshme që Balluku një ditë do të dilte para drejtësisë, dhe ja që kjo po ndodh. Na dukej e pabesueshme që edhe Veliaj një ditë do të dilte para drejtësisë, dhe ajo ndodhi. E njëjta gjë me Beqajn dhe shumë të tjerë. Dhe e njëjta gjë ka për të ndodhur edhe me Ramën. Duhet të kemi besim – e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të jetë modeli i korrupsionit i kësaj qeverie. Duhet të vazhdojmë të luftojmë, mos të dorëzohemi”, – u shpreh Shehaj.

 

Në përshkrimin që shoqëron videon, Shehaj ka shtuar se pas zhvillimeve të fundit, Belinda Balluku duhet të japë dorëheqjen menjëherë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu