
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka njoftuar nisjen e regjistrimeve për Haxhin 2026, që do të zgjasin deri më 31 dhjetor.
Sipas njoftimit zyrtar, çmimi për këtë vit është 6,400 euro, ndërsa dokumentet e nevojshme për regjistrim janë pasaporta (me vlefshmëri jo më pak se një vit), fotografi personale dhe vaksina kundër meningjitit.
Regjistrimet kryhen pranë Zyrës së Haxhit dhe Umres në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, çdo ditë nga e hëna në të premte, nga ora 09:00 deri në 16:00.
Megjithatë, njoftimi ka ngjallur një sërë reagimesh në rrjete sociale, ku shumë qytetarë kanë komentuar çmimin dhe mënyrën e organizimit të udhëtimit.

Ja disa nga komentet më të përfolura:
“Shumë lirë e paskan” – shkruan një komentues me ironi.
“Allahu na mundësoftë,” – shprehet një tjetër.
“Pse nuk e bëni 10 mijë euro, ndryshim ka?!” – pyet me sarkazëm një përdorues.
“Pak si e vështirë me këto çmime,” shton një koment tjetër.
“O Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, a e njihni ekonominë e shqiptarëve? Biletat e avionit dhe ushqimi në Mekë e Medinë rriten vetëm për Haxh? Kini frikë Allahun!” – shkruan një qytetar i revoltuar.
“Mjerr për ata që abuzojnë me Haxhin, se e kanë me Allahun llogarinë!” – reagon një grua, duke marrë dhjetëra pëlqime.
“Allahu i mallkoftë ata që e bënë Haxhin dukje për pasanikët, duke ua hequr mundësinë besimtarëve të devotshëm,” shton një tjetër.
Pavarësisht reagimeve, shumë komentues kanë shprehur edhe dëshirën dhe shpresën që të kenë mundësi të marrin pjesë në këtë udhëtim të shenjtë:
“Allahu na e mundësoftë Haxhin,” është mesazhi më i përsëritur në dhjetëra komente nën njoftimin e Komunitetit Mysliman.







