
Një aeroplan transporti mallrash që kishte nisur fluturimin nga Dubai ka dalë nga pista gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Hong Kongut, duke shkaktuar një aksident të rëndë me dy viktima.
Sipas Rai News, ngjarja ndodhi rreth orës 03:53 të mëngjesit, kur fluturimi Emirates SkyCargo EK9788, i operuar nga kompania turke Air ACT, tentoi të ulej në pistën veriore 07R. Avioni Boeing 747-481 humbi kontrollin dhe u përplas me një mjet shërbimi në tokë, duke e shkatërruar pjesërisht dhe duke e hedhur avionin jashtë pistës, me pjesën e përparme që përfundoi në ujë.
Në vendngjarje ndërhynë shërbimet zjarrfikëse dhe policia detare, ndërsa pista veriore u mbyll përkohësisht për pastrimin e mbeturinave dhe kontrollet e sigurisë.
Një tjetër fluturim i kompanisë Cathay Pacific, që po afrohej pas avionit cargo, u detyrua të devijonte në pistën jugore.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e incidentit, ndërsa ende nuk ka një njoftim zyrtar për arsyet që çuan në humbjen e kontrollit gjatë manovrës së uljes.