Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 20 nëpunës publikë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të akuzuar për shpërdorim detyre në të paktën shtatë procedura prokurimi me vlerë të përgjithshme mbi 525 milionë lekë pa TVSH.

Sipas njoftimit zyrtar, të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), i cili konstatoi një sërë shkeljesh në procedurat e prokurimit të zhvilluara kryesisht me negociim pa shpallje paraprake, një mekanizëm që shpesh përdoret për raste urgjente, por që në këtë rast është konsideruar i pajustifikuar.

Shtetasit M.K., E.H., G.Xh., I.A., A.Gj., L.K., E.P., L.H., M.P., E.F., A.L., E.R., I.B., A.Z., A.Gj., S.P., A.I., A.Dh., K.N. dhe A.A. rezultojnë të kenë vepruar në bashkëpunim në kundërshtim me ligjin, duke dëmtuar interesat e shtetit dhe subjekteve të tjera ligjore.

Procedurat e hetuara lidhen me tenderat për:

  • Shpenzime për mbrojtjen e bimëve dhe luftimin e parazitëve në bujqësi
  • Blerje pajisjesh për shërbimin veterinar (motoçikleta, veshje, kaska, doreza, çanta)
  • Blerje kafshësh të llojit gjedh për dëmshpërblimin e fermerëve të prekur nga dermatoza nodulare e gjedhit
  • Sistem monitorimi me kamera për hidrovoret

Sipas Prokurorisë, hetimet kanë provuar se testimi i tregut është kryer në mënyrë fiktive, ndërsa kriteret teknike dhe ligjore për mallrat e kërkuara nuk janë përcaktuar në mënyrë të rregullt.

Në përfundim, organi i akuzës vlerëson se ekziston bindje e bazuar në prova për konsumimin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, dhe ka dërguar dosjen për gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu