
Analisti i njohur i çështjeve të Ballkanit dhe Evropës Lindore, Janusz Bugajski, është ndarë nga jeta. Lajmin e ka bërë të ditur këtë të shtunë Elez Biberaj, ish-drejtues për Euronazinë në “Zërin e Amerikës”, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Biberaj e ka cilësuar Bugajskin si një mik të ngushtë dhe bashkëpunëtor të vyer ndër vite, duke theksuar kontributin e jashtëzakonshëm të tij në analizën e zhvillimeve gjeopolitike në hapësirën euroaziatike dhe veçanërisht në Ballkan.
“U trondita dhe u pikëllova thellësisht kur mësova për ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tim të ngushtë, Janusz Bugajski. Janusz ishte një analist i shkëlqyer i çështjeve euroaziatike, një autor produktiv, botimet e të cilit formësuan në mënyrë të thellë kuptimin tonë për rajonin,” – shkruan Biberaj.
Ai shtoi se Bugajski ishte një mbështetës i palëkundur i vlerave demokratike dhe një zë i fortë në mbrojtje të qeverisjes së mirë dhe lirisë së medias.
Janusz Bugajski ka qenë një figurë me ndikim në politikën ndërkombëtare, autor i dhjetëra librave dhe analizave që kanë ndihmuar politikëbërësit perëndimorë në kuptimin e zhvillimeve në Europën Lindore, Ballkan dhe më gjerë.
Ai njihej për qëndrimet e tij të ashpra ndaj ndikimit rus në rajon dhe si një mbrojtës i flaktë i integrimit euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Një zë i respektuar që do të mungojë në analizën e zhvillimeve gjeopolitike në rajon.