
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Bushat të Vaut të Dejës, ku një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar me dhunë fizike.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shkodrës, është arrestuar Besnik Shkambi, 56 vjeç, banues në fshatin Mali i Jushit, i cili dyshohet se ka goditur me kosore 39-vjeçarin Paulin Vela, gjatë një zënke në ambientet e një lokali në qendër të Bushatit.
Si pasojë e goditjeve, Vela ka marrë plagë në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa ka pësuar edhe thyerje në krahun e djathtë. Ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka sekuestruar mjetin prerës (kosoren) që u përdor në konflikt si provë materiale, ndërsa po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.