
Tiranë, 6 Tetor 2025 – Shqipëria ishte sot në qendër të vëmendjes rajonale, teksa Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, mikpriti në Tiranë Samitin e Procesit të Brdo-Brijuni-t, një nismë e rëndësishme e bashkëpunimit rajonal që synon përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Në samit morën pjesë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, si dhe anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Bećirović, Željko Komšić dhe Željka Cvijanović.
Të pranishëm ishin edhe dy bashkëkryesuesit e Procesit të Brdo-Brijuni-t, Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, dhe Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç.
Fokus në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian
Në fjalën e tij gjatë hapjes së samitit, Presidenti Begaj theksoi se ky takim përbën “një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe vizioneve mbi të ardhmen e rajonit”. Ai u ndal në sfidat gjeopolitike aktuale dhe në nevojën për rritje të bashkëpunimit dhe koordinimit midis vendeve të rajonit.
“Shqipëria mbështet fuqishëm dialogun rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si elemente thelbësore për ruajtjen e paqes, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal,” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Plani i Rritjes i BE-së dhe perspektiva evropiane
Presidenti Begaj e quajti Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor “një mundësi konkrete për zhvillim ekonomik dhe integrim më të thellë me BE-në”.
“Ky plan krijon akses në instrumente financiare, lehtësira tregtare dhe programe të përbashkëta për zhvillim. Është një mundësi që duhet shfrytëzuar me përgjegjësi nga vendet e rajonit,” – theksoi ai.
Rinia dhe punësimi në qendër të bashkëpunimit
Presidenti Begaj vuri në dukje rëndësinë e përfshirjes së të rinjve dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për punësim, duke përmendur me vlerësim takimin e drejtorëve të agjencive kombëtare të punësimit si një nismë konkrete që forcon lidhjet rajonale.
Shqipëria drejt anëtarësimit në BE
Në lidhje me procesin e integrimit evropian, Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria ka hapur pesë nga gjashtë grupkapitujt negociues, duke e cilësuar këtë si “njohje të përpjekjeve për reforma të thella”.
“Integrimi në BE nuk është vetëm një objektiv politik, por një mision kombëtar. Shqipëria synon të përfundojë negociatat teknike deri në vitin 2027 dhe të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030,” – deklaroi Begaj.
Deklaratë e përbashkët dhe angazhim për vazhdimësi
Samiti u përmbyll me një deklaratë të përbashkët të liderëve të vendeve anëtare të Procesit të Brdo-Brijuni-t, ku u theksua angazhimi për forcimin e bashkëpunimit rajonal, rritjen e sigurisë dhe përshpejtimin e integrimit evropian të rajonit.
Në mbyllje, Presidenti Begaj falënderoi homologët e tij nga Kroacia dhe Sllovenia për angazhimin konstruktiv dhe mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.