
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Kavajës, ku një 48-vjeçar ka ushtruar dhunë fizike ndaj drejtorit të ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, kjo pas një konflikti që lidhet me ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, shërbimet e Komisariatit të Kavajës kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. A., 48 vjeç, banues në Kavajë. Ai akuzohet se ka goditur me grusht drejtorin e institucionit, shtetasin O. D., si dhe e ka kërcënuar më herët përmes thirrjeve telefonike dhe mesazheve.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin A. A., 48 vjeç, banues në Kavajë, pasi dyshohet se për shkak të ndërprerjes së kontratës së punës në Ujësjellës-Kanalizime Kavajë, ka goditur me grusht, drejtorin e institucionit, shtetasin O. D., të cilin gjithashtu e ka kanosur nëpërmjet mesazheve dhe thirrjeve telefonike.”, thuhet në njoftimin për mediat.
Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe mbledhjen e provave për procedurat ligjore në vijim.
/tvklan.al