
Green Coast mirëpriti një grup investitorësh dhe sipërmarrësish nga Holanda, në një ngjarje të veçantë që kombinonte biznesin me sportin. Për tre ditë radhazi, mysafirët u njohën nga afër me mundësitë që Shqipëria ofron në sektorin e pasurive të paluajtshme, përmes vizitave në projektet më të rëndësishme të bregdetit, Green Coast dhe Vlora Marina.
Drejtoresha Ekzekutive e Balfin Real Estate, znj. Ledia Telhai, dhe Drejtori i Shitjeve, z. Eltion Koçi, prezantuan vizionin dhe zhvillimet e projekteve, duke theksuar interesin në rritje të investitorëve të huaj për tregun shqiptar. “Në sektorin e pasurive të paluajtshme, Shqipëria ofron mundësi që pak vende në rajon mund t’i garantojnë,” tha znj. Telhai, duke nënvizuar se kërkesa e lartë për prona përgjatë bregdetit reflektohet në rritjen e qëndrueshme të vlerës dhe kthimin e tyre si një investim i sigurt dhe afatgjatë.
Duke u fokusuar te rëndësia e kësaj aktiviteti, z. Koçi theksoi se kjo ngjarje ishte një mundësi për të prezantuar nga afër potencialin e jashtëzakonshëm të këtyre projekteve, si dhe për të treguar se Shqipëria po fiton vendin e saj të merituar në hartën ndërkombëtare të investimeve.
Edhe vetë investitorët e huaj shprehën përshtypjet e tyre nga përvoja në Shqipëri. “Ka qenë një përvojë vërtet e jashtëzakonshme. Gjatë këtyre ditëve në Shqipëri patëm mundësinë të njihnim potencialin e madh që vendi ofron për investime dhe bukuritë natyrore të Rivierës. Organizimi i turneut tonë të padelit këtu, në Green Coast, ku gjetëm të gjitha facilitetet e nevojshme, ishte një mundësi e shkëlqyer. Jam i bindur se Shqipëria po pozicionohet si një destinacion shumë atraktiv për investitorët,” tha një nga ta.
Programi i aktivitetit përfshiu një turne informues në Green Coast, ku mysafirët vizituan “Galeria by TEG”, qendrën e vetme tregtare në Rivierën Shqiptare, e vendosur brenda resortit, për të vazhduar më pas në Lifestyle Center “La Vista” dhe në shëtitoren buzë detit. Turneu u plotësua gjithashtu me vizita në rezidencat tashmë të përfunduara dhe të banuara, ku investitorët patën mundësinë të shihnin nga afër atmosferën e një destinacioni të konsoliduar, përpara se të njiheshin me progresin e fazave të reja të projektit dhe tipologjitë e ofruara.
Përvojën e plotësoi një udhëtim detar përgjatë Rivierës Shqiptare, nga Green Coast deri te Vlora Marina. Ndërkohë që shijonin panoramën e gjireve dhe plazheve përgjatë bregdetit, pjesëmarrësit ndaluan për të parë nga afër zhvillimin e punimeve të projektit Vlora Marina dhe më pas vizituan ambientet e zyrës, ku u prezantua vizioni dhe koncepti i këtij projekti, që pritet të sjellë në Shqipëri marinën e parë të klasit botëror dhe një kompleks rezidencial me apartamente premium pranë detit.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në prezantimin e Shqipërisë si një destinacion atraktiv për kapitalin ndërkombëtar, duke pozicionuar Rivierën tonë jo vetëm si destinacion turistik, por edhe si një qendër të re mundësish investimi në Mesdhe./ BalkansWeb