
Erion Veliaj ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij si kryebashkiak i Tiranës. Ky veprim bllokon automatikisht zgjedhjet e parakohshme për kryeqytetin deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.
Juristi Indrit Sefa, i ftuar në Vizion Plus, deklaroi se Veliaj vazhdon të jetë kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe se procedura e ndjekur nga këshilli bashkiak është në kundërshtim me ligjin, pasi kryebashkiakut nuk i është dhënë mundësia për t’u dëgjuar.
“Në momentin që kryetari i bashkisë e ankimon vendimin e Këshillit të Ministrave, vendimmarrja pezullohet. Pra, Veliaj mbetet në detyrë deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Presidenti nuk e respekton ligjin, kjo krijon një situatë ligjore të paprecedentë,” shpjegoi Sefa.
Juristi shtoi se Veliaj mund të ruajë kontrollin e Bashkisë duke emëruar nënkryetarët e tij, duke garantuar vazhdimësinë e vizionit politik të tij. Ai theksoi gjithashtu se procedura e ndjekur është në shkelje të të drejtave politike dhe të drejtës për t’u zgjedhur, pasi askush nuk mund të shkarkojë kryetarin pa e dëgjuar atë më parë.
Sipas Sefës, pas përfundimit të procesit kushtetues, Veliaj mund të drejtojë vazhdimisht Bashkinë, ndërsa Presidenti do të dekretojë datën e zgjedhjeve, të cilat pritet të zhvillohen brenda 45 ditëve. Gjykata Kushtetuese do të konstatojë shkeljet e të drejtave të Veliajt, por nuk do të ndikojë në zbatimin e zgjedhjeve të reja.
Veliaj dhe mbrojtja e tij do të vazhdojnë gjithashtu betejën në nivel penal, ndërsa situata aktuale lejon që ai të menaxhojë Bashkinë deri në momentin që është kryetar zyrtar.
“Veliaj mund të shkarkojë nënkryetarët e Edi Ramës dhe të emërojë të vetët për të vazhduar vizionin e tij politik në drejtimin e Bashkisë së Tiranës,” përfundoi juristi.
Ky zhvillim konsiderohet një “tërmet politik” që mund të ndikojë në strukturën dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës për muajt e ardhshëm.