
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare shprehu mbështetjen për protestën në mbrojtje të UÇK dhe komandantëve që po gjykohen në Hagë, e cila do të organizohet në Tiranë më 17 tetor.
“Është e vetmja parti që s’ka pasur luhatje ndaj luftës së vëllezërve, tani ne e mbështesim thirrjen e veteranëve dhe u bëjmë thirrje qytetarëve të marrin pjesë. Këta na vunë kusht të mblidhemi këtu ta diskutojmë. Me nismë të PS janë miratuar 8 deklarata dhe rezoluta për të mbështetur luftën çlirimtare të Kosovës. E kemi bërë detyrën. Këta kanë pasur qëndrim jo pozitiv ndaj UÇK-së dhe komandantëve që ndodhen padrejtësisht në Hagë, se nuk ka asnjë provë ndaj tyre me ato palo dëshmitarë që po serviren.”
Balla kritikoi opozitën dhe tha se kreu i saj, Sali Berisha, nuk ka folur dhe nuk ka për të folur kurrë mirë për luftën çlirimtare të UÇK-së dhe komandantët që mbahen padrejtësisht në Hagë.
“Uroj që Tritan Shehu ta ketë serioze atë që tha, sepse për herë të parë pas kaq shumë vitesh flet një përfaqësues i PD për komandantët e UÇK-së në Hagë. Jam i sigurt që Sali Berisha as nuk ka folur dhe as ka për të folur kurrë për komandantët e UÇK-së, sepse të gjithë e dimë arsyen e tij ndaj UÇK-së, për shkaqe që, atëherë Tritani bënte drejtorin e ‘Shqiponjës’ kur Berisha furnizonte me naftë Millosheviçin,” tha më tej Balla në fjalën e tij në kuvend, ku u dha përgjigje disa akuzave për shkelje të Kushtetutës, duke theksuar se për çështjen e ngritur tashmë është në pritje vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ai përmendi faktin se në 13 ditë pune Kuvendi ka ngritur 11 komisione dhe ka miratuar ndryshime në rregullore për të forcuar transparencën dhe mbikëqyrjen parlamentare.
“Mjaft me një histori të vjetër ku mblidhen komisionet, dëgjohen, bëhet një raport, një rezolutë dhe atë s’e merr në referencë vetë instituti, jo të tjerët. Ne do t’ia ndryshojmë faqen raportimeve. Ky është vetëm fillimi, që do ketë dy komisione përgjegjës: komisioni që e ka mbuluar në mënyrë tradicionale dhe përfshirja si komision përgjegjës i Komisionit për Nismat Qytetare dhe Mbikëqyrjet e Institutit. Mbledhjet do jenë të përbashkëta. Nëse ka mosdakordësi, do ndërhyjë kryetari.” deklaroi Balla.