
Kalimet e figurave politike nga opozita drejt mazhorancës janë kthyer në një tipar të pandashëm të tranzicionit shqiptar. Këto lëvizje shpesh perceptohen si tradhti ndaj elektoratit dhe si manovra të pushtetit për të krijuar zhurmë, duke minuar njëkohësisht forcën e opozitës.
Në mandatin e katërt qeverisës, pasi nxori nga bashkëqeverisja aleatin e tij të majtë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama ka nisur të piketojë personazhe nga kampi opozitar për t’i afruar pranë vetes.
Në mbledhjen e parë të qeverisë së re ai emëroi zëvendësministre të Brendshme Silva Cakën, ish-deputete e Partisë së Lirisë dhe një zë opozitar, sidomos aktive në protestat ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranë, Erjon Veliaj, që u shkarkua nga detyra në të njëjtën mbledhje.
Më herët gjatë verës Rama tërhoqi vëmendjen me emërimin e Genc Deromemës, një drejtues i degës lokale të Partisë Demokratike, si drejtor kadastre në Vlorë duke u justifikuar se I kishin mbaruar burimet njerëzore në kampin scocialist.
Ai po ashtu afroi në radhët e partisë së tij dhe e futi në listën e kandidatëve për deputetë Endrit Brahimllarin, po ashtu një ish figurë qendrore në Partinë e Lirisë, që drejtohet nga Ilir Meta, një ish socialist dhe aleat i Ramës, që gjendet sot në burg me akuzat e korrupsionit.
Emërimi i Cakës ngjalli reagim nga radhët e partisë së saj, por dhe në publik ku kapërcimet politike të tilla perceptohen si tradhëti politike por dhe si taktikë e pushtetit për të dëmtuar opozitën.
Por lëvizje të tilla bëjnë më shumë zhurmë se sa kanë një impakt direkt tek opozita thotë Dashamir Shehi, ish deputet veteran në parlamentin shqiptar dhe kryetar i Kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, që nuk arriti të përfaqësohej në Kuvend në zgjedhjet e fundit.
“Qëllimi është dashakeq , të krijojë perceptimin që njerëzit e atyre po vijnë me ne, se nuk është se këta personazhe janë disa profesionistë të mëdhenj që shteti ka nevojë”, tha Shehi për BIRN.
“Praktikisht Rama bën zhurmë, diversion në publik dhe mban me këtë lloj tymnaje ca kohë median”, shtoi ai.
Nga ana tjetër Shehi sugjeron se këto lëvizje të disa eksponentëve nga opozita për një vend punë në kampin qeveritar nuk e dëmton në vetvete opozitën, edhe për shkak të peshës së vogël që personazhet kanë.
“Nuk është kjo që i prish punë opozitës, marrëveshje mes disa nëpunësve të vegjël me shefin e madh në pushtet, asaj i prish punë marrëveshjet politike që bëhen mes dy palëve që kanë interesa të tjera brenda, siç është ajo për Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën në 2008-n”, argumenton Shehi.
Për Zef Preçin, drejtor i Institutit për Studime Ekonomike, këto veprime lidhen dhe me humbjen apo zbehjen e një dallimi ideologjik mes kampeve politike, ose mes PD-së dhe PS-së që kanë qëndruar në pushtet prej 35 vitesh dhe kjo e ka ndryshuar perceptimin qytetar ndaj politikës për keq.
“Kjo situatë favorizon klientelizmin partiak, patronazhimin politik, përdorimin e mjeteve dhe burimeve shtetërore për të siguruar rizgjedhjen, etj.. Ndoshta edhe propaganda e sofistikuar, sidomos gjatë dekadës se fundit e ka nxitur këtë sjellje të qytetareve, duke çuar edhe në situata absurde ku zgjedhjet ‘fitohen’ edhe pa patur fare program, apo kur thelbi i fushatës bëhet rrënimi i reputacionit të kundërshtarit pa thënë se çfarë ju ofron qytetarëve”, tha Preçi për BIRN.
Mungesa e një perceptimi të qartë për dallimet mes grupimeve politike, sipas Preçit, ka çuar dhe në lloj lehtësie në kalimet e personazheve të politikës nga njëri krah në tjetrin deri në nivele më të larta politike, si në radhët e deputetëve të Kuvendit, duke tjetërsuar kështu dhe vullnetin e votuesve.