
Sot, gjatë Sesionit të 37-të të Këshillit Ndërkombëtar Koordinues të Programit “Njeriu dhe Biosfera” (MAB-ICC), mbajtur në Hangzhou, Kinë, UNESCO i dha lumit Vjosa çertifikatën e shumëpritur si Rezervë e Biosferës.
Me këtë vendim, Vjosa bëhet pjesë e rrjetit global me mbi 700 Rezerva të Biosferës në mbarë botën, të cilat ndajnë përvoja dhe zgjidhje për ruajtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Vjosa nuk është më thjesht një lumë, por një simbol global i bashkëjetesës së njeriut me natyrën. Ky është një moment historik për Shqipërinë, për komunitetet përgjatë lumit dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë arritje të rëndësishme.
Ky rezultat vjen pas një procesi të gjatë, të mbështetur me profesionalizëm dhe përkushtim nga stafi i Ministrisë së Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe specialistët në qarqet Gjirokastër, Fier dhe Vlorë.