Një incident i pazakontë është shënuar të mërkurën në Burgun e Fierit, ku i dënuari Bledar Selmanaj ka tentuar sërish të arratiset. Selmanaj, i cili po vuan dënimin për vrasjen e mikut të tij, Xhuliano Bullari, ka shfrytëzuar kohën e ajrimit për të tentuar të kalojë perimetrin e sigurisë së institucionit.

Kjo nuk është përpjekja e tij e parë, pasi ai mësohet të ketë provuar arratisjen edhe më herët, por gjithnjë pa sukses.

Në dhjetor të vitit 2021 ai ka tentuar të arratiset nga spitali i burgut në Tiranë ku ishte transferuar nga burgu i Peqinit ku ka qenë i izoluar, për shkak të disa komplikacioneve shëndetësore.

Ai është pikasur nga një gardian i burgut teksa ka tentuar të largohet dhe menjëherë është kërkuar përforcim të forcave të sigurisë, të cilët kanë arritur ta neutralizojnë.

Në gusht të vitit 2021 ka rezultuar se Bledar Selmanaj vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Selmanaj akuzohet për vrasjen e Xhuliano Bullarit. Bullari u gjet i vdekur në aksin Vlorë-Babicë, në një makinë tip ‘Fiat Punto, ku sipas ekspertizës ai është qëlluar me tre plumba nga pasagjeri, ku njëri prej tyre e ka kapur në kokë dhe i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Shkak për vrasjen e 25-vjeçarit dyshohet të jenë bërë prishja e pazareve të drogës. Autori dhe viktima njiheshin së bashku teksa kanë qëndruar në një qeli dhe më pas kanë vazhduar pazaret e drogës dhe jashtë.

Ditën e vrasjes ata ishin nisur nga Tirana për në Vlorë për çështje trafiku droge, ndërsa sipas dëshmisë së Bledar Selmanaj konflikti mes tyre ka nisur për 3 mijë euro drogë, që Xhuliano Bullari, i pagoi me euro false. Selmanaj negocioi për 100 kg hashash mes miqve të tij dhe shokut të burgut. Shitja u bë në Elbasan, por pala e viktimës pagoi me euro false. Ky ka qenë dhe momenti i krisjes mes miqësisë së nisur në qeli.

Salmanaj nuk ishte emër i panjohur për policinë pasi ka qenë i dënuar për një sërë vjedhjesh në qytete të ndryshme të vendit, Tiranë, Fier e Vlorë. Sendet që vidhte, i shiste nëpër dyqane, ndaj u dënua në vitin 2012./Tema

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu