
Kryeministri Edi Rama ka nisur takimin me ministrat dhe deputetët e PS të këtij qarku, një ditë pasi Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi shkarkimin e Erion Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh se Tirana nuk mund të qëndrojë më pa një kryetar që të drejtojë punët.
Rama e cilësoi një “bashki kokëkëputur” situatën në të cilën ndodhet aktualisht Bashkia e Tiranës.
“Tema jonë si palë e përgjegjshme në jetën e këtij vendi është një histori drejtësie plot pikëpyetje që s’dihet sa do zgjasë të mos e marrë peng pafundësisht kryeqytetin dhe punët e tij. Tirana nuk mund të gdhihet dhe ngryset si trupë pa kokë dhe qyterarët nuk mund të bashkëjetojnë me një bashki kokëkëputur”.
Socialistët kanë përzgjedhur Ogerta Manastirliun si kandidate për në zgjedhjet e reja të Bashkisë së Tiranës. Rama tha se opozita do të hyjë e humbur në garën për Tiranën.
“Opozita do hyjë në garë e humbur dhe do dalë akoma më e humbur. Qytetarët, nga anketat nuk e kanë mendjen tek asnjë rival i Ogertës, por tek problematikat, si uji i pjishëm që është kthyer në një problem administrimi”.
Nga takimi me ministrat dhe deputetët e PS të qarkut Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se duhet që të nis puna për zgjedhjet e pjesshme vendore. Ai tha se kandidatura e Ogerta Manastirliut ka mbështetjen e familjes socialiste.
‘Sot duhet të nisnim punë për zgjedhjet e reja në Tiranë ku me kandidaten e duhur me vizionin dhe me ambicien e duhur do të marrim rezultatin e duhur. Kandidatura e Ogertës ka gjetur mbështetje në PS dhe janë të një mendje se është radha e saj ta udhëheq Tiranë me ambicien që e karakterizon.
Ogerta ka mbështetje sa të madhe aq sa është krejt pa interes se kush do të jenë kandidati përballë saj, që do të hyjnë në garë të humbur dhe do të dalin nga gara edhe më të humbur. Shumica e qyterëve se kanë mendjen tek ndonjë rival i kandidates së PS por e kanë hallin tek problematikat që kërkojnë adresim në këtë bashki duke nisur nga uji i pijshëm që është kthyer në një problem është një problem i keqadministrimit’, tha ai.
Këshilli i Ministrave do të mblidhet të enjten (25 shtator) në orën 12:00 ku pritet të vendosë për shkarkimin e Erion Veliajt.
Një ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi me 50 vota për shkarkimin e Veliajt.
Pas këtij vendim, sot Prefekti i Tiranës i përcolli këtë vendim Qeverisë Shqiptare.
Sipas ligjit, është qeveria ajo që vendos përfundimisht këtë proces.
Për këtë arsye, do të duhet të merret vendimi nesër nga Këshilli i Ministrave për shkarkimin përfundimtar të Erion Veliajt, me motivacionin që nuk është paraqitur në detyrë prej 3 muajsh.
Por i gjithë ky proces pezullohet nëse Erion Veliaj e dërgon në Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij./shqiptarja