
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë seancës plenare iu referua kërkesës së Partisë Demokratike për të mbajtur një minutë heshtje në nderim të ish-diplomatit dhe deputetit Abdi Baleta, duke sqaruar procedurën.
Balla u kujtoi se Kuvendi i Shqipërisë e ka standardizuar prej kohësh një procedurë të qartë mbi mënyrën se si kërkohet një minutë heshtjeje.
“E kemi bërë me konsensus këtë ndërhyrje, sepse një nderim i tillë duhet bërë siç duhet. Kërkesa depozitohet me shkrim nga në fillim të seancës dhe përcaktohet ora e saktë e mbajtjes së saj,” u shpreh Balla.
Ai kritikoi mënyrën se si ishte vepruar në një seancë të mëparshme, duke e cilësuar “një formë qesharake” të kërkesës së mbajtjes së minutës së heshtjes.
“Sa e keni respektuar ju Abdi Baletën, e di familja e tij dhe e dinë të gjithë shqiptarët,” tha kreu i grupit socialist.
Balla bëri të qartë se PS mbështet kërkesën për një minutë heshtje për ish deputetin e ndjerë Abdi Baleta dhe tha se pas përfundimit të diskutimeve për rendin e ditës, minuta e heshtjes duhet të mbahet me respektin dhe solemnitetin e duhur.