
Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Ousmane Dembélé, është shpallur fitues i Topit të Artë 2025, duke lënë pas në garë talentin e Barcelonës, Lamine Yamal.
28-vjeçari zhvilloi sezonin më të mirë të karrierës së tij, duke shënuar 21 gola dhe 8 asistime në Ligue 1, ndërsa në Champions League u bë protagonist me 8 gola dhe 6 asistime, mes tyre edhe në finalen ndaj Interit. Vendimi i trajnerit Luis Enrique për ta shndërruar në qendërsulmues rezultoi vendimtar për suksesin e PSG-së.
“Topi i Artë është ëndrra e çdo futbollisti, një kujtim nga fëmijëria ime kur shihja yjet që e ngrinin këtë trofe. Tani e mbaj në duar vetë”, u shpreh Dembélé pas ceremonisë.
Ky është trofeu i parë i madh individual për francezin, i cili vulos një sezon të artë si lider i PSG-së dhe një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror.