Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar sot në rrjetet sociale duke konfirmuar lajmin për largimin nga detyra të zëvendësministrit të saj. Vendimi erdhi pas një denoncimi të pazakontë nga një bashkatdhetar që jeton në New York.

Sipas Koçiut, qytetari kishte raportuar se zv.ministri po tymoste cigare brenda një restoranti, duke shqetësuar të pranishmit, mes tyre edhe familjen e denoncuesit.

“Kam marrë një denoncim nga një bashkatdhetari ynë në New York, i cili bashkë me familjen kishte përjetuar shqetësim për faktin se zv.ministri i Brendshëm tymoste cigare në restorant. Bëra verifikimin përkatës dhe i komunikova zv.ministrit largimin nga detyra,” – shkruan Koçiu.

Ministrja theksoi se shkelje të tilla nuk mund të tolerohen, sidomos nga drejtues të institucioneve që duhet të jenë shembull për qytetarët.

“Çdokush mund të gabojë padashje dhe mund të mirëkuptohet, por të pish cigare brenda në lokal nuk është një gabim padashje, por një shkelje e pajustifikueshme e ligjit. Aq më tepër për një drejtues të një institucioni si Ministria e Punëve të Brendshme,” – shtoi ajo.

Koçiu siguroi qytetarët se çdo denoncim i bërë për shkelje do të trajtohet me seriozitet dhe respekt:

“I siguroj të gjithë qytetarët që do të denoncojnë shkelje të cilitdoqoftë, se do të dëgjohen me të njëjtin respekt. Jo vetëm me fjalë por me qëndrime parimore, që ata me plot të drejtë presin prej nesh.”

Ky rast ka ngjallur reagime në rrjete sociale, ku disa e quajnë një sinjal pozitiv për zbatimin e ligjit, ndërsa të tjerë ironizojnë duke e cilësuar si shembull të “spiunimit modern” që po bëhet trend në shoqëri.

Tags: Albana Koçiu, denoncim, New York, Ministria e Brendshme, cigare, ligji, spiunim

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu