
Kkçandidati i VLEN për kryetar të komunës së Kërcovës, Fatmir Limani, paraqiti para mbi 400 të rinjve vizionin dhe programin e tij për zhvillimin e qytetit.
Tubimi nisi me një video ku u pasqyruan dështimet 12-vjeçare të drejtuesve të mëparshëm, me theksimin se “nuk shajmë askënd, por shohim përpara”.
Udhëheqësja e listës për Këshillin Komunal, Teuta Ahmeti Purelku theksoi se koha është për lindjen e një shprese të re, përmes punës dhe përgjegjësisë. Ndërsa Ramazan Dini, një nga drejtuesit e forumit rinor, mbajti një fjalim emocional, duke iu referuar mbështetjes së familjes dhe duke kritikuar klasën e vjetër politike.
Në fjalën e tij, Fatmir Limani iu drejtua me respekt të gjithë komuniteteve të Kërcovës – romëve, turqve dhe maqedonasve – madje edhe në gjuhën e tyre, duke treguar përkushtimin e tij për bashkëjetesë dinjitoze. Ai tregoi se inspirimin e merr nga sakrificat e familjes së tij, duke theksuar:
“Nuk dua të merrem me lavdërime për të kaluarën, por të shohim drejt së ardhmes dhe të bëjmë Kërcovën të jetueshme për të rinjtë tanë.”
Programi i Limanit parashikon 1% të buxhetit të komunës – rreth 200 mijë euro – për projekte rinore, si dhe 5000 euro për çdo të ri që dëshiron të hapë biznesin e tij.
Një nga premtimet kryesore ishte ringjallja e shtëpive të braktisura, duke u dhënë jetë dhe dritë, që siç tha ai, “Kërcova e bekuar të përparojë dhe të mos mbetet e braktisur.”
Në fund të takimit, Limani u shpreh me emocion:
“Nuk e kam të lehtë të fal gjakun e paraardhësve të mi, por sot ai gjak është dritë për të ndërtuar një rrugë të re bashkëjetese me fqinjët tanë, për t’u dhënë një të ardhme të rinjve tanë të mrekullueshëm.”
Aktiviteti u mbyll me nënshkrimin simbolik të një kontrate mes Limanit dhe 400 të rinjve, si zotim për një Kërcovë të re, të zhvilluar dhe të bashkuar në dekadat që vijnë.
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 19 tetor