
Katër parti të reja që garuan për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 do të përfitojnë kompensim financiar në vlerën totale prej 12.7 milionë lekësh. Vendimi është marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me argumentin se këto parti nuk kishin marrë fonde publike paradhënie për fushatën zgjedhore.
Sipas KQZ-së, kushti për përfitim është që partitë të kenë siguruar të paktën 1% të votave të vlefshme në rang vendi, ku vlera e një vote është përllogaritur në 94 lekë.
Shpërndarja e fondeve sipas partive:
- Lëvizja Bashkë – 2.307.418 lekë
- Lëvizja Shqipëria Bëhet – 3.884.362 lekë
- Partia Mundësia – 4.601.488 lekë
- Partia Koalicioni Euroatlantik – 1.963.190 lekë
Totali: 12.756.458 lekë
Një rast i veçantë është Partia Lëvizja Shqipëria Bëhet, e udhëhequr nga Adriatik Lapaj, e cila garoi në koalicion me partinë e Endri Shabanit. Megjithatë, kompensimi prej 3.8 milionë lekësh do të shkojë vetëm për partinë e Lapajt, pasi partia e Shabanit kishte përfituar fonde paradhënie për fushatën.
KQZ sqaron se edhe partitë e tjera që kanë kaluar pragun prej 1%, por nuk figurojnë në listën e mësipërme, kanë marrë financim publik përpara zgjedhjeve dhe për këtë arsye nuk përfitojnë nga fondi paszgjedhor.