Policia e Cërrikut ka arrestuar një 33-vjeçar, Klevis Meta pasi publikoi në rrjete sociale video ku shfaqeshin raste të rënda të keqtrajtimit të kafshëve në fshatin Rrasë.

Videot shfaqin skena të rënda, ku kafshë të pafajshme detyrohen të përplasen në sulme të dhunshme, duke u kthyer në spektakël gjaku për ndjekësit.

Në disa prej pamjeve, mace hidhen në tokë dhe shqyhen nga qentë, ndërsa në të tjera, qentë shihen të traumatizuar, duke u dridhur e përpjekur të shpëtojnë, por forca njerëzore i shtyn drejt përleshjes. Britmat, paniku dhe dhuna e përgjakshme transmetohen publikisht si një formë “argëtimi” për publikun online.

Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas denoncimeve të bëra nga qytetarë dhe shoqata të mbrojtjes së kafshëve, uniformat blu nisën veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorit.

I riu u lokalizua jashtë banesës së tij, duke shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më herët për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Policia theksoi se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme ligjore.

Ky rast ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, sidomos nga shoqatat për mbrojtjen e kafshëve, të cilat kanë kërkuar dënime shembullore ndaj autorëve të akteve të tilla.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu