
Maria Duda Dibiaggio, themeluese e Countryside Retreat në fshatin Opila, Maqedoni e Veriut sjell një histori të jashtëzakonshme shërimi dhe shprese. Pas kthimit nga Amerika gjatë pandemisë, ajo u përball me një periudhë të vështirë pas një frakture në këmbë, duke mbetur vetëm me dy qen. Për rehabilitimin e saj ndërtoi një pishinë në Countryside Retreat, por shumë shpejt e kuptoi se nuk po shërohej vetëm trupi i saj, por edhe zemra.
“Kafshët më mësuan se shërimi merr kuptim të vërtetë kur jep dashuri pa kushte,” rrëfen ajo për TRT.
Maria tregoi vendosmëri të jashtëzakonshme: shiti makinën e qepjes për të shpëtuar një kalë të braktisur buzë një lumi, ndërsa kursimet që kishte për biletën e kthimit në Amerikë i përdori për të shpëtuar dy kuaj të tjerë të destinuar për therje. Pa e ditur, ata kuaj ishin shtatzënë dhe më vonë i sollën jetë dy këlyshë të rinj, duke e mbushur jetën e saj me shpresë të re.
Pavarësisht se shumëkush i tha se nuk do ia dilte, Maria e gjeti forcën te dashuria dhe besimi. “Më thërrisnin ‘amerikania me hobi’, por unë nuk kërkoja miratim – kërkoja kuptim,” thotë ajo.
View this post on Instagram
Sot, çdo mëngjes e nis me përqafime nga qentë dhe puthje nga macet e verbra. Për të, ky është lumturia më e madhe që ka ndjerë ndonjëherë.
Në Countryside Retreat, ajo ka krijuar një hapësirë të qetë dhe të sigurt ku njerëzit dhe kafshët shërohen së bashku. Maria tregon se një nga përjetimet më prekëse është kur sheh një fëmijë me aftësi të kufizuara që komunikon më lehtë me një kalë sesa me njerëzit.
“Kur ndodh kjo, e kupton se ekziston një gjuhë që shëron gjithçka,” thotë Maria, e cila sot është e vendosur të ndërtojë një komunitet edhe më të fortë për të ndihmuar njerëzit, kafshët dhe natyrën.
Mes sfidave dhe padrejtësive, mesazhi i saj mbetet i qartë: dashuria dhe besimi i japin njeriut forcën për të marrë vendimet e duhura, për të qenë më i mençur, më i fortë dhe një qenie më e mirë.
“Jeta është e bukur. Duhet ta jetoni plotësisht,” përfundon ajo.