Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për mbylljen e zyrave të fondeve të sigurimeve pensionale dhe shëndetësore të Serbisë në veri të Kosovës.

Përmes një prononcimi të zëdhënësit, BE-ja ka thënë se ky veprim përbën ndërhyrje të paakordinuar nga Qeveria në largim e Kosovës dhe shkon kundër obligimeve dhe përkushtimeve të vendit ndaj Bashkimit Evropian.

“BE-ja ka theksuar vazhdimisht se statusi i këtyre strukturave duhet të zgjidhet në përputhje me dialogun e lehtësuar nga BE-ja, marrëveshjet e arritura dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në prononcimin e zëdhënësit.

Bashkimi Evropian paralajmëron se veprimet e tilla ndikojnë negativisht në jetët e qytetarëve të Kosovës, “para së gjithash të serbëve, por edhe të komuniteteve të tjera”.

“BE-ja i bën thirrje Qeverisë në largim dhe institucioneve relevante të përmbahen nga veprimet provokative dhe të dëmshme, duke kërkuar konsultim me komunitetin lokal serb dhe partnerët ndërkombëtarë”, vijon reagimi i zëdhënësit.

Të enjten, me asistimin e Policisë, Posta e Kosovës e mori nën kontroll objektin në të cilin operonte Posta e Serbisë në Graçanicë. Ngjashëm ka vepruar edhe në komunat veriore më herët./koha.net

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu