
Autori i vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk nuk ka lënë një “manifest”. Në vend të saj, ai ka lënë katër fraza të gdhendura në plumbat që u gjetën të fshehur në një shkurre, së bashku me armën e krimit. Fraza që përzihen mes sloganeve antifashiste, si kënga partizane italiane Bella Ciao, dhe gjuhës së atyre që jetojnë të zhytur në botën online, të ashtuquajturit terminally online.
Fraza e parë, e gdhendur në gëzhojën e plumbit që u qëllua, shkruante: Notices bulges OwO what’s this?.
Një shprehje e komplikuar për t’u shpjeguar, por që përdoret shpesh në internet për të tallur të tjerët. Dy plumba të tjerë, të paqëlluar, mbanin mbishkrimet: O Bella ciao, bella ciao, bella ciao ciao ciao dhe Hey fascist! Catch! (Hej fashist, kape këtë!), i shoqëruar me pesë shigjeta,një lart, një djathtas dhe tre poshtë, që sipas guvernatorit të Utah, Spencer Cox, janë një kombinim komandash nga videoloja Helldivers 2 për të lëshuar një bombë 500 kilogramëshe. Ndërsa mbi plumbin e katërt shkruhej: If you read this you are gay lmao (Nëse e lexon këtë, je gay. Po qesh me lot).
Sipas të dhënave nga rrjetet sociale të familjes, 22-vjeçari Tyler Robinson ka dy vëllezër më të vegjël, ndërsa prindërit e tij, Matt dhe Amber, janë të martuar prej 25 vitesh.
Familja jeton në St. George, në jug të Utah, rreth tre orë e gjysmë larg nga universiteti ku ndodhi atentati. Fotot familjare tregojnë pushime në Disneyland e Alaska dhe një nënë krenare kur Tyler fitoi bursë prej 32 mijë dollarësh në Utah State University, studime që i ndërpreu pas vetëm një semestri në vitin 2021, për arsye të paqarta.
Në foto të tjera, ai shihet që në fëmijëri me armë në duar, përfshirë edhe një bazuka. Si shumë djem të zonës, edhe ai ishte mësuar të dilte për gjah.
“Jam e hutuar. Ishte djalë i turpshëm, nuk fliste për politikë. Djali im, babai i tij, është republikan pro-Trump. Në familje nuk njoh askënd që të jetë demokrat”, tha gjyshja për Daily Mail.
Një tjetër i afërm, megjithatë, tregoi se vitet e fundit Tyler kishte shfaqur interes për politikën dhe kishte përmendur ngjarjen me Kirk në darkën familjare, duke thënë se nuk i pëlqente. Sipas këtij të afërmi, ai ishte “plot urrejtje”.
Një foto e shpërndarë në rrjetet sociale e tregon të veshur për Halloween mbi një kostum me figurën e Trump, një tjetër referencë ndaj “memeve” online. Një ish-shok shkolle dhe lojërash online i tha Guardian se “ishte mjaft i majtë”, ndryshe nga pjesa tjetër e familjes së tij.
I ati ishte ai që e njohu në fotot e publikuara nga FBI pas atentatit. Vetë Tyler pranoi krimin, por i kishte thënë babait se do të preferonte të vetëvritej sesa të dorëzohej. Babai e bindi të fliste me një klerik, me gjasë nga Kisha Mormone që familja frekuentonte (por Tyler kishte hequr dorë prej saj). Ishte ky klerik që njoftoi policinë federale. Ironikisht, Kirk, i cili ishte ungjillor, e kishte lavdëruar komunitetin mormon gjatë fjalimit ku u vra.
Tyler ishte student në vitin e tretë në Dixie Technical College, ku po përgatitej për elektriçist. Pas vrasjes, ai i kishte dërguar mesazh shokut të dhomës në “Discord”, duke i kërkuar të fshihte pushkën, por autoritetet nuk mendojnë se ai ka qenë i përfshirë. Robinson kishte shkuar vetëm, me një Dodge Challenger gri, në orën 8:29 të mëngjesit.
Fillimisht kishte veshur rroba të shndritshme, por më pas u zhvesh e veshi të zeza dhe kapele për të shmangur kamerat. Në videon e publikuar nga FBI-ja shihet duke u hedhur nga çatia e një ndërtese pas atentatit dhe duke vrapuar, derisa ngadalësohet kur has kalimtarë. Në një tjetër video, përpara krimit, shihet duke çaluar, ndoshta sepse mbante armën të fshehur nën rroba.
Çfarë e shtyu Tyler-in? Përgjigjet janë të ndryshme. Guvernatori fajëson rrjetet sociale. E djathta fajëson universitetet dhe ideologjinë e majtë. E majta akuzon kulturën e armëve.
/tvklan