
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se ka diskutuar me presidentin rus Vladimir Putin për çarmatimin bërthamor, gjatë një takimi që u zhvillua më 15 gusht në Alaska.
“Ia thashë Putinit: denuklearizimi është shumë i rëndësishëm, është një lojë e madhe. Rusia është gati ta bëjë, dhe besoj se edhe Kina do të jetë gati. Nuk duhet të lejojmë përhapjen e armëve bërthamore. Duhet t’i ndalojmë ato,” – u shpreh Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, më 25 gusht.
Megjithatë, Kremlini nuk ka dhënë asnjë koment zyrtar për këtë deklaratë.
Sipas Federation of American Scientists (FAS), Rusia zotëronte në mars 2024 një inventar prej 5,580 koka bërthamore, përfshirë rreth 1,200 në proces çmontimi – arsenali më i madh në botë. Ai përfshin armë taktike për përdorim në fushën e betejës dhe armë strategjike të afta për të goditur territorin amerikan.
Që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, Moska ka përdorur shpesh retorikë kërcënuese për përdorimin e armëve bërthamore kundër Kievit dhe Perëndimit. Deri tani, këto kërcënime nuk janë materializuar, por frika për synime ushtarake më të gjera të Rusisë vazhdon.
Takimi Trump–Putin vjen pasi ish-presidenti rus Dmitry Medvedev kërcënoi përsëri me përshkallëzim bërthamor, duke akuzuar SHBA-në për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në luftën në Ukrainë. Në përgjigje, Trump kishte urdhëruar vendosjen e dy nëndetëseve bërthamore amerikane në rajone të përcaktuara.
Trump e quajti Medvedevin “ish-president të dështuar” dhe e paralajmëroi të “kujdeset me fjalët”, duke theksuar se Moska po hyn në “territor shumë të rrezikshëm”.
Deri më sot, bisedimet mes Uashingtonit dhe Moskës për kontrollin e armëve bërthamore nuk kanë sjellë asnjë rezultat konkret.