Kryeministri Edi Rama ka përsëritur për të dytën ditë radhazi ftesën për dialog me protestuesit, ndërsa paralajmëron pasoja ligjore dhe financiare për personat që shkaktojnë dhunë dhe dëme ndaj pronës publike apo private.

Pamjet

Në një mesazh të ri, kreu i qeverisë pranoi se qytetarët kanë shumë arsye për pakënaqësi dhe protesta, por theksoi se asnjë prej tyre nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën.

“Ka 1001 pakënaqësi, 1001 halle, 1001 probleme. Mund të ketë dhe 1001 arsye për të protestuar, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, çdo problem duhet të shërbejë si argument për dialog mes qytetarëve, pavarësisht dallimeve në qëndrime.

“Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri”, u shpreh Rama, duke iu referuar ftesës së një dite më parë për bashkëbisedim me protestuesit.

Ai deklaroi se mbetet i gatshëm të diskutojë me të gjithë ata që nuk ndajnë të njëjtat pikëpamje me të.

“Dora ime është e shtrirë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga unë dhe që mendojnë ndryshe nga shumica e terrorizuar nën trysninë e dhunës”, tha kryeministri.

Rama theksoi se e drejta për të protestuar është e pamohueshme, por paralajmëroi se personat përgjegjës për aktet e dhunës do të përballen me pasojat.

“Distancohuni nga dhuna dhe nga ana tjetër çdo dhunues do të marrë përgjigjen. Përgjigja nuk do të vonojë dhe do të jetë konstante. Përgjigja do të jetë ligjore. Përgjigja do të jetë financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët do të paguajë. Kush dëmton pasurinë e tjetrit do të paguajë”, deklaroi ai.

Kryeministri shtoi se zgjidhja e problemeve dhe përmirësimi i shërbimeve kërkojnë punë dhe të ardhura, të cilat duhet të orientohen drejt nevojave të qytetarëve.

Në përfundim, Rama theksoi se Shqipëria u përket të gjithëve dhe se ushtrimi i të drejtave individuale nuk mund të cenojë liritë e të tjerëve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu