
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka nisur këtë të mërkurë, 21 tetor, bojkotin e mësimdhënies në të gjitha universitetet publike të vendit, në mbështetje të protestave të studentëve dhe nxënësve. Vendimi është pa afat të përcaktuar dhe do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë.
Vendimi është marrë njëzëri nga kryesia e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), në mbledhjen e zhvilluar më 20 tetor.
Sindikata e argumenton bojkotin me situatën e krijuar nga protestat dhe me pretendimet për përdorim të dhunës ndaj studentëve.
“Studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri jete e prone, për të drejtën e llogaridhënies etj. Përgjigjja që kanë marrë nuk ka qenë dialogu, por heshtja dhe, që nga 13 tetori dhe në vijim, edhe dhuna ekstreme”, thuhet në deklaratën e sindikatës.
“Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë”, thekson SPUSH.
Sipas sindikatës, pedagogët ndajnë shqetësimet e studentëve për zhvillimet politike dhe ekonomike, korrupsionin dhe mungesën e meritokracisë.
Përmes deklaratës, SPUSH kërkon ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të dhunës ndaj protestuesve paqësorë, hetim të pavarur dhe transparent për ndërhyrjet policore që prej 13 tetorit, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave që kanë urdhëruar apo ushtruar dhunë.
Sindikata kërkon gjithashtu trajtimin e ligjshëm dhe dinjitoz të studentëve të shoqëruar në polici dhe plotësimin e kërkesave të protestuesve.
Pedagogët mblidhen çdo ditë në orën 10:00
Përveç bojkotit të mësimit, sindikata ka njoftuar se pedagogët do të marrin pjesë në protestat e studentëve.
Çdo ditë, në orën 10:00, ata do të mblidhen përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës, për të vijuar mbështetjen ndaj të rinjve.
SPUSH u ka bërë thirrje rektorëve dhe drejtuesve të universiteteve publike të respektojnë vendimin e bojkotit dhe të mos marrin masa disiplinore ndaj pedagogëve apo studentëve pjesëmarrës.
Sindikata sqaron se orët e humbura të mësimit do të kompensohen më vonë, ndërsa pedagogët duhet të vazhdojnë komunikimin me studentët dhe t’u ofrojnë materiale didaktike.
“Bojkoti nuk është braktisje e auditorit”, thekson sindikata, duke deklaruar se rikthimi në mësim do të bëhet pasi kërkesat e studentëve të marrin përgjigje.
Vendimi i sindikatës për bojkot në të gjitha universitetet publike nuk përbën ende konfirmim se mësimi është ndërprerë faktikisht në çdo fakultet.






