
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 58”, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me partnerët spanjollë dhe nëpërmjet INTERPOL-it, lokalizuan dhe arrestuan në Laç shtetasin Gj. Gj., 40 vjeç, lindur në Lezhë, i cili përdorte katër identitete të ndryshme.
Gjykata e Instruksionit nr. 1 Castellon de la Plana, Spanjë, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krime kundër shëndetit publik/Kultivim i bimëve narkotike”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”.
Ky shtetas dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, me role të ndara për secilin anëtar, nga sigurimi i ambienteve, marrja me qira, përshtatja për kultivim të drogës dhe deri te montimi i pajisjeve për këtë qëllim. Autoritetet spanjolle gjatë hetimeve kishin zbuluar dy ambiente të përshtatura për kultivim droge, një në Oropesa dhe një në Cabanes.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Madridin për të finalizuar procedurat e ekstradimit të 40-vjeçarit drejt Spanjës.