
Pesë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur rëndë pas një aksidenti tragjik në autostradën New York State Thruway, të premten pasdite.
Ngjarja ndodhi pranë qytetit Pembroke, rreth 40 milje larg Niagarës, ku një autobus turistik me 52 pasagjerë në bord, që po kthehej drejt Nju Jorkut nga Niagara Falls, humbi kontrollin, u përmbys dhe përfundoi në kanal anës rrugës.
Sipas policisë, shumë prej pasagjerëve nuk kishin vendosur rripat e sigurimit, ndërsa disa u hodhën jashtë nga përplasja fatale. Mes viktimave besohet të jetë edhe një fëmijë.
Forca të shumta policie, ambulanca dhe helikopterë mbërritën në vendngjarje për të shpëtuar të mbijetuarit.
- 30 pasagjerë u dërguan në spitale rajonale me lëndime nga më të lehtat deri tek ato kritike.
- 24 pacientë ndodhen në spitalin e Buffalo-s, ku 20 janë ende nën trajtim.
- 6 të tjerë, mes tyre një fëmijë, u transferuan në spitalin e Rochester, dy prej të cilëve me plagë kritike.
Policia e shtetit të Nju Jorkut tha se autobusi ishte duke lëvizur me shpejtësi të lartë dhe humbi kontrollin pa u përplasur me mjete të tjera. Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet janë në vijim.
Shumica e pasagjerëve ishin turistë indianë, kinezë dhe filipinas, ndaj autoritetet kanë dërguar përkthyes për të ndihmuar në komunikimin dhe marrjen e dëshmive.