
Agjentët e FBI-së kanë kryer një kontroll në shtëpinë e ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare të Donald Trump, John Bolton, në Bethesda, pranë Uashington DC.
Mediat amerikane raportojnë se në zonë u panë automjete policie dhe forca të FBI-së, ndërsa institucioni ka konfirmuar vetëm se po kryente një “aktivitet të autorizuar”.
Bolton ishte më parë akuzuar për shpërndarje të informacionit të klasifikuar në librin e tij të vitit 2020 “The Room Where it Happened”, por çështja u mbyll në vitin 2021.
Nuk ka ende akuza penale ndaj tij dhe ai nuk është ndaluar.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, shkroi: “Askush nuk është mbi ligjin”.
Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, tha: “Siguria e Amerikës nuk është e negociueshme. Drejtësia do të ndiqet. Gjithmonë.”
John Bolton, dikur ambasador i SHBA në OKB gjatë administratës Bush, është një nga kritikët më të ashpër të Trump, të cilin e ka cilësuar si “të papërshtatshëm për president”.