
Policia ka proceduar penalisht dentistin që i kreu ndërhyrjen në dhëmbë, 59-vjeçarit i cili ndërroi jetë sapo doli nga klinika.
Dentisti është proceduar në gjendje të lirë për neglizhencë në trajtim mjekësor. Ndërkohë i ndjeri dyshohet se humbi jetën nga një infarkt.
59-vjeçari me iniciale Sh. D., nga fshati Progër i Devollit, mësohet se kishte shkuar në klinikë pasditen e së hënës (18 Gusht) së bashku me dy djemtë dhe të afërm.
Pas kryerjes së një mbushjeje dentare, ai është ankuar disa herë duke thënë “s’jam mirë”, e më pas ka humbur ndjenjat.
Grupi hetimor ka sekuestruar kartelën mjekësore të pacientit për të analizuar procedurat e ndjekura gjatë trajtimit.
Nga hetimet paraprake nuk rezulton të ketë ndonjë element që lidhet me ndonjë problem nga ana e dentistit, por vetëm pas daljes së ekspertizës mjeko-ligjore do të përcaktohet shkaku i vdekjes.
Ndërkohë, familjarët e 59-vjeçarit, në një reagim për mediat jashtë kamerave, janë shprehur se nuk kanë pretendime për rastin, duke theksuar se vdekja ka qenë natyrale dhe ka përkuar rastësisht pas trajtimit dentar./panorama