
Organizata e Miss Universe ka konfirmuar se bukuroshja dhe modelja palestineze, Nadeen Ayoub, do të marrë pjesë në konkursin prestigjioz të bukurisë që do të mbahet në nëntor të këtij viti. Ky është përfaqësimi i parë zyrtar i Palestinës në historinë e Miss Universe.
“Zonja Ayoub, një avokate e suksesshme dhe modele nga Palestina, mishëron qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që përcaktojnë platformën tonë,” thuhet në deklaratën e organizatës.
Finalja e edicionit të 74-të të Miss Universe do të zhvillohet më 21 nëntor në Bangkok, Tajlandë, ku do të marrin pjesë përfaqësuese nga mbi 130 vende dhe territore.
Nadeen Ayoub u shpreh e nderuar për këtë moment historik:
“Jam e lumtur të njoftoj se për herë të parë Palestina do të përfaqësohet në Miss Universe. Ndërsa Palestina përjeton dhimbje — veçanërisht në Gaza — unë mbaj zërin e një populli që refuzon të heshtë. Përfaqësoj çdo grua dhe fëmijë palestinez, forca e të cilëve duhet të shihet nga bota.”
Ky përfaqësim shihet si një hap i rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin mbi çështjen palestineze përmes një platforme ndërkombëtare.