
Aktualisht në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 27 janë aktive dhe 7 po mbahen nën monitorim. Situata më problematike vijon të jetë në jug të vendit, me rrezik të lartë për zonat e mbrojtura, banesat dhe infrastrukturën.
*Qarku Vlorë*
Bashkia Delvinë – Zjarri i nisur në Finiq ka kaluar në territorin e Delvinës, duke rrezikuar edhe qytetin, pas fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat. Po vijon evakuimi i banorëve në zonat e rrezikuara. Në terren kanë operuar helikopteri i FA-së, 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Bashkia Delvinë po hap breza mbrojtës me skrepa, ndërsa kërkohet mbështetje shtesë nga ajri për shkak të riskut të lartë.
Fshati Sevaster, Nj. A. Sevaster – Në terren ndodhet mjeti zjarrfikës i Selenicës me efektivët e tij. Flakët, të favorizuara nga era dhe terreni, po rrezikojnë disa banesa. Ka nisur evakuimi i banorëve.
Fshati Mesaplik, Nj. A. Brataj – Zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar banesa. Forcat zjarrfikëse të Vlorës po ndërhyjnë me mjete dhe efektivë, ndërkohë që po vijon evakuimi i banorëve.
Bashkia Dropull – Zjarri i ardhur nga Finiqi është shtrirë nga lartësitë mbi fshatin Goric deri në fshatin Dhuvjan (ish-reparti ushtarak i Leftokaresë). 20 forca të bashkisë Dropull po e mbajnë nën monitorim. Nuk ka rrezik për banesat.
Parku i “Rëzom” – Maja e “Lucës” – Vatra në sipërfaqe me shkurre e pyll vazhdon aktive. Terreni i thyer nuk lejon ndërhyrje me mjete, por AdZM do të kryejë ndërhyrje në orët e para të mëngjesit.
Lagjja “15 Tetori”, Vlora – Vatër aktive në kodrën pas bashkisë. Në terren ndodhet 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë.
Rrethrrotullimi i Orikumit – Vatër aktive, ku po ndërhyhet me 1 mjet zjarrfikës dhe 3 efektivë.
*Qarku Dibër*
Ternovë, Zerqan – Bulqizë – Zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Po punojnë forcat e MZSH-së, pyjores, bashkisë dhe kompanive minerare, si dhe 30 trupa FA.
Mali me Gropa, Biz – Martanesh – Vatër në zonë të mbrojtur, larg zonave të banuara. Monitorim nga AdZM dhe njësia vendore.
Fshati Luzni – Zjarri rrezikoi banesat, por forcat operacionale arritën ta vendosin nën kontroll.
Xibër Murriz – Klos – Vatër nën monitorim, pa rrezik.
*Qarku Berat*
Fshati Rehovë – Poliçan – Riaktivizim me përmasa të mëdha, që po prek fshatrat Rehovë, Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik e Panarit, si dhe Rezervatin e Mbrojtur “Balloll”. Kërkohet ndërhyrje nga ajri.
Në fshatin Vokopolë u evakuuan banorët. Në vendngjarje janë edhe efektivë të FA dhe forca nga bashkitë përreth. Situata është kritike.
Fshati Mbrakull – Poliçan – Zjarri ka kaluar pranë ujësjellësit dhe qytetit. Po punojnë 35 forca FA, 65 forca MZSH, 15 forca bashkiake dhe mjetet zjarrfikëse të zonës.
Fshati Velçan – Sinjë – Vatër nën monitorim.
Fshati Orizaj – Qendër Skrapar – Zjarr në sipërfaqe me shkurre, po monitorohet.
*Qarku Tiranë*
Spanesh – Rrogozhinë – Zjarri pranë banesave, është kryer evakuim i banorëve.
Ferraj dhe Zall-Herr – Tiranë – Forcat zjarrfikëse dhe APR po punojnë për izolimin.
Damjan dhe Isufaj – Vaqarr – Vatra e madhe po përparon drejt Pezë Helmës. Po ndërhyhet me 20 forca zjarrfikëse dhe mjete.
Mali i Bërzhitës – Ibë – Vatra aktive, pa rrezik të menjëhershëm.
*Qarku Gjirokastër*
Hormovë – Tepelenë – Zjarri rrezikon banesat, është kryer evakuimi i banorëve. Ndërsa të gjitha strukturat janë në terren.
Koshtan – Memaliaj. Zjarri ka përhapje të madhe. Banorët janë evakuuar, por 3 banesa janë përfshirë nga zjarri. Forcat zjarrfikëse me mjetin zjarrfikës si dhe forca vullnetare dhe Policia e Shtetit janë pozicionuar në sheshin e Teqesë dhe po punojnë për të ruajtur banesat e tjera.
Turan – Tepelenë – Janë djegur dy stalla bagëtish. Po punojnë forcat tokësore dhe ajrore.
Qarku Elbasan
Kullollas – Gramsh – Situatë e rënduar, është raportuar një humbje jete. Banorët janë evakuuar. Për shkak të flakëve janë bllokuar edhe disa rrugë që lidhin fshatrat. Në bashkinë Gramsh janë marrë masa për strehimin e banorëve të evakuuar.
Mukaj dhe Sojnik – Gramsh – Situatë problematike. Mbi 150 forca po punojnë për izolimin e zjarrit në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Është kërkuar ndërhyrja me 50 forca operacionale FA. Në terren janë edhe forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe Gramshit afër fshatit Snosëm e Sojnik, të shoqëruara edhe nga punonjës bashkiak e banorë të zonës.
*Qarku Shkodër*
Xath – Fushë Arrëz – Po ndërhyhet me mbi 170 forca dhe mjete. Falë ndërhyrjes së koordinuar, deri tani është bërë i mundur shpëtimi i banesave që ishin në rrezik në fshatrat Xhath dhe Flet. Aktualisht po punohet me intensitet të lartë për izolimin dhe shuarjen e vatrave në disa drejtime, megjithë terrenin e vështirë.
Baks–Rrjoll – Velipojë – Vatër në kallamishte, po punohet për shuarjen.
Qyteti i Pukës – Vatra në kontroll.
Ura e Shtrejtë – Postribë – Monitorim i vazhdueshëm.
*Qarku Kukës*
Gegaj – Tropojë – Vatër e izoluar, pa rrezik për banesat.
Parku i Monellës – Kukës – Vatër nën monitorim.
*Qarku Korçë*
Gërmenj – Leskovik – Zjarri në Parkun Natyror vijon aktiv, po monitorohet.
*Qarku Fier*
Gjonc-Selisht – Cakran – Vatër e vendosur nën kontroll, monitorim.
Bashkia Lushnje – Vatër e re, po ndërhyhet me forcat zjarrfikëse të Divjakës.