
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 3 mijë euro gjobë dhe ndalim hyrjeje për dy vjet në Kosovë ndihmësdrejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, pasi gjatë një tubimi në Hoçë të Madhe e cilësoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste”.
Fillimisht, gjykata e dënoi Popoviqin me 6 muaj burgim për veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, por ky dënim iu zëvendësua me gjobë pas marrëveshjes së tij me Prokurorinë. Ai u arrestua më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut dhe qëndroi në paraburgim deri në shpalljen e vendimit.
Vendimi përfshin edhe dëbimin e tij nga territori i Kosovës, me ndalim kthimi deri në vitin 2027.
Megjithatë, sapo kaloi kufirin për në Serbi, Popoviqi mohoi të ketë bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe deklaroi se “qëndron pas fjalëve të tij” ndaj UÇK-së, duke e cilësuar drejtësinë në Kosovë si “politikisht të instrumentalizuar”. Ai falënderoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Zyrën për Kosovën dhe mbështetësit e tij për përkrahjen gjatë procesit.