
Reagime të ashpra dhe të ndara kanë ardhur nga vendet kryesore ndërkombëtare pas miratimit nga ana e qeverisë izraelite të një plani për të marrë kontrollin e plotë të qytetit të Gazës. Ndërsa ofensiva ushtarake e Izraelit vazhdon, kancelari gjerman Friedrich Merz njoftoi sot ndalimin e eksportit të pajisjeve ushtarake drejt Izraelit, që mund të përdoren në Rripin e Gazës.
“Është gjithnjë e më e vështirë të kuptohet se si kjo ndërhyrje ushtarake do të ndihmojë për të arritur qëllimet legjitime. Në këto rrethana, qeveria gjermane nuk do të autorizojë asnjë eksport të pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në Gaza deri në një njoftim të dytë,” u shpreh Merz.
Kjo është një ndryshim i madh në politikën e Berlinit, duke pasur parasysh se Gjermania ka qenë historikisht një nga furnizuesit kryesorë të armëve për Izraelin – e dyta pas SHBA-së, sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar i Stokholmit për Kërkime të Paqes (SIPRI).
Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka dalë me qëndrim kritik. Kryeministri Keir Starmer e ka cilësuar planin e Izraelit si një “gabim” dhe ka kërkuar që ai të rishqyrtohet.
Nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, paralajmëroi se eskalimi i mëtejshëm “do të shkaktojë zhvendosje masive, më shumë vrasje dhe vuajtje të papërballueshme, si dhe mundësi për krime të rënda kundër njerëzimit”.
Në vetë Izraelin, familjarët e pengjeve të mbajtura nga Hamasi kanë shprehur shqetësimin e tyre, duke deklaruar se plani rrezikon jetën e të afërmve të tyre. Ndërkohë, brenda Gazës, reagimet janë të ndara: disa banorë fajësojnë Hamasin se po i sakrifikon në një betejë të humbur, ndërsa të tjerë tregohen sfidues dhe të vendosur për të qëndruar.
Analistët ndërkombëtarë, përfshirë Jeremy Bowen të BBC-së, kanë ngritur pikëpyetje serioze nëse një ofensivë e mëtejshme ushtarake mund të mposhtë një lëvizje që ka kaluar tashmë në fazën e një kryengritjeje guerile.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa presioni ndërkombëtar mbi Izraelin rritet dhe pasojat humanitare në Gaza vazhdojnë të rëndohen.