
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilloi një vizitë zyrtare në Beograd, ku u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Në qendër të bisedimeve ishte mbështetja e plotë e Italisë për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe procesin e reformave që ka ndërmarrë Beogradi.
Vuçiç falënderoi Melonin për mbështetjen e Italisë në rrugën evropiane të Serbisë dhe në organizimin e EXPO 2027, duke e cilësuar Italinë si një mik të vërtetë që kupton vlerat dhe aspiratat e vendit të tij.
“E falënderova Kryeministrin Meloni për mbështetjen parimore të Italisë, veçanërisht në lidhje me integrimin evropian dhe EXPO 2027, ku do të shfaqim forcën e miqësisë dhe një vizioni të përbashkët. Një vend që konfirmon pjesëmarrjen e tij nuk ka të bëjë vetëm me pjesëmarrjen në ekspozitë – ajo nënkupton mbështetje, partneritet dhe besim. Serbia i vlerëson shumë marrëdhëniet e saj me Italinë, jo vetëm si partner politik, por edhe si një mik i vërtetë që i kupton vlerat, traditat dhe aspiratat tona. Serbia dhe Italia qëndrojnë krah për krah në rrugën e zhvillimit dhe stabilitetit për të gjithë rajonin”, shkruan Vuçiç në Instagram.
Të dy udhëheqësit vlerësuan nivelin e lartë të marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehën synimin për të forcuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Ata diskutuan gjithashtu zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë, si dhe rëndësinë e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Dialogut Beograd–Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja./Tema