
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur sot një shqetësim serioz për një zonë të banuar në pjesën e sipërme të Komunës së Parisit, përballë nënkalimit të Kodrës së Diellit, ku ujërat e zeza po përmbytin rrugën dhe banesat përreth.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe sqaroi se problemi nuk lidhet me reshje shiu, por me prurjet e ujërave të zeza nga lartësitë e Kodrës së Diellit. Sipas tij, tre pusetat ekzistuese në rrugën paralele me unazën e madhe janë tepër të vogla dhe nuk përballojnë sasitë e ujit që rrjedhin nga sipër.
View this post on Instagram
“Qysh në shkurt të këtij viti, bashkë me banorët, konstatuam se pusetat nuk përballojnë dot prurjet. Tani, kjo situatë është kthyer në një problem të përhershëm dhe lagjja është realisht në hall”, shkruan Braçe.
Deputeti kërkon zgjidhje të menjëhershme nga institucionet përkatëse, përpara se situata të përkeqësohet më tej dhe të ndikojë seriozisht në cilësinë e jetës së banorëve të zonës.
Ai apelon për ndërhyrje teknike për zgjerimin e kanalizimeve dhe rikonstruksionin e infrastrukturës, në mënyrë që të shmangen përmbytjet e vazhdueshme me ujëra të ndotura.