
Një ngjarje e rëndë, por me fat që nuk përfundoi tragjikisht, ka ndodhur këtë fundjavë në Zelandën e Re. Një vajzë 2-vjeçare është gjetur gjallë brenda një valixheje në bagazhin e një autobusi të linjës InterCity. Autobusi kishte ndaluar në zonën Kaiwaka, rreth 100 kilometra në veri të Auckland-it, kur shoferi dyshoi për lëvizje të pazakonta në një nga valixhet dhe njoftoi menjëherë policinë.
Në valixhe u gjet vajza, e cila ishte shumë e nxehtë, por fatmirësisht pa lëndime të dukshme. Fëmija u transportua menjëherë në spital për kontroll mjekësor dhe mbeti nën vëzhgim për të vlerësuar gjendjen e saj të përgjithshme.
Policia arrestoi një grua 27-vjeçare, e cila sipas autoriteteve, ishte përgjegjëse për këtë akt. Ajo është akuzuar për keqtrajtim ose neglizhencë ndaj një fëmije dhe do të dalë përpara gjykatës së North Shore më 4 gusht.
Sipas burimeve nga policia dhe autoritetet e mbrojtjes së fëmijëve, rasti është jashtëzakonisht shqetësues dhe po hetohet me seriozitet të plotë. Në hetim janë përfshirë edhe shërbimet sociale të Zelandës së Re, për të garantuar mbrojtjen e fëmijës dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Dëshmitarë të ngjarjes dhe stafi i autobusit janë marrë në pyetje, ndërkohë që shoferi është vlerësuar për reagimin e menjëhershëm, që sipas policisë, ndoshta i ka shpëtuar jetën fëmijës.
Hetimet janë ende në vijim dhe autoritetet nuk kanë bërë ende të ditura detaje të tjera mbi marrëdhënien mes gruas së arrestuar dhe fëmijës.